Mbi 1 milion euro pagesa të kundërligjshme për pensionet e kategorisë së TMK’së dhe FSK’së

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka realizuar pagesa të kundërligjshme në vitin e kaluar.

Pagesat të pensioneve të dyfishta për personat e njëjtë janë ka realizuar MPMS-ja në vitin e kaluar, gjë e cila është në kundërshtim me ligjin dhe i shkakton dëme të mëdha buxhetit.

Mbi 1 milion euro është shuma e këtyre pagesave që janë kryer në emër të skemave sociale, shkruan lajmi.net.

Këtë e ka vërejtur Zyra Kombëtare e Auditmit, e cila ka publikuar Raportin e Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për vitin 2020.

“Bazuar në krahasimin e të dhënave të Ministrisë për skemat pensionale dhe sociale kemi identifikuar se Ministria kishte kryer pagesa në vlerë 1,088,040 euro për përfitues të cilët gëzojnë më shumë se një pension. Rastet më të shpeshta të përfitimit të më shumë se një pensioni nga skemat pensionale, janë përfituesit që i takojnë kategorisë së TMK-së dhe FSK-së, të cilat pagesa Ministria kishte kryer edhe vitin e kaluar bazuar në vendimin e ish Kryeministrit nr. 12/82 të datës 28.12.2018. Me këtë vendim ishte aprovuar vazhdimi i pagesave të pensioneve të dyfishta për FSK dhe ish-pjesëtarët e TMK-së deri në interpretimin përfundimtar të ligjeve për skemat pensionale. Krahasuar në vitin e kaluar, ka një rritje të lehtë të shumës së këtyre pagesave”, thuhet në raportin e ZKA-së për pasqyrat finaciare të MPMS-së.

Sipas Auditorit, mos harmonizimi i legjislacionit për skemat pensionale dhe vazhdimi i pagesës së pensioneve të dyfishta edhe gjatë vitit 2020, ka ndodhur për shkak se Menaxhmenti nuk kishte inicuar procedurat për harmonizimin e legjislacionit për skemat pensionale shkaku i rrethanave të pandemisë dhe shpërndarjes së Ministrisë.

Ligji Nr.04/L -131 për skemat pensionale të financuara nga shteti, rregullon pensionet bazë të moshës, pensionet kontribut pagues të moshës, pensionet e aftësisë së kufizuar, pensionet e parakohshme, pensionet familjare dhe pensionet invalidore të punës. Sipas nenit 16 të këtij ligji, personat të cilët janë përfitues të cilitdo pension të skemave të përcaktuara me këtë ligj në asnjë rrethanë, nuk mund të jenë përfitues të ndonjë pensioni tjetër nga skemat e veçanta pensionale të cilat menaxhohen nga shteti.

Sipas ligjit Nr. 04/L-172 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.04/L054 për Statusin dhe të drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të Tyre – neni 5.1.4 përfituesit e pensioneve familjare, invalidor personal dhe invalidor familjar nuk mund të jenë shfrytëzues të asnjë pensioni nga skemat e tjera pensionale të aplikueshme në Kosovë.

Ndërsa, sipas ligjit Nr.04/L-261 për Veteranët e UÇK-së neni 16 pika 2, Veteranët e UÇK-së nuk mund të jenë shfrytëzues të asnjë pensioni nga skemat e tjera pensionale të financuara nga shteti . Nëse veterani është shfrytëzues i ndonjë skeme pensionale të financuar nga shteti duhet të përcaktohet se cilin pension do ta marrë.

Sipas ligjit Nr. 04/L-084 për pensionet e Pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, neni 5.3 përfituesit që kanë të drejtë në pensionin e FSK-së duhet të zgjedhin njërin nga përfitimet: pensionin që u takon me këtë ligj, apo përfitimet tjera që parashihen me ligjet tjera në fuqi.

“Pagesat e pensioneve të dyfishta për personat e njëjtë janë në kundërshtim me ligjin dhe shkaktojnë dëmtim të buxhetit. Ministri duhet të inicioj menjëherë procedurat për harmonizimin e legjislacionit për skemat pensionale duke shfrytëzuar mekanizmat ligjor te organet përkatëse të cilat janë të ngarkuara me përgjegjësi për të bërë interpretime dhe vlerësime të pajtueshmërisë së dispozitave ligjore”, thuhet në rekomandimin e auditorit.