Në 24 orët e fundit është regjistruar rekord i rasteve të reja me koronavirus në Kosovë. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 2 mijë e 708 raste të reja nga testimi i 10 mijë e 833 mostrave. Prej tyre 1 mijë e 80 raste janë regjistruar në grupmoshën deri 19-vjet.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, në grupmoshën 10-19 vjeç janë regjistruar 899 raste të reja, ndërsa atë 0 deri 9 vjet 181 raste të reja.

Numri më i madh i rasteve pozitive janë regjistruar në Prishtinë gjithsej 1 mijë e 35, pasuar nga Mitrovica 234 dhe Peja 215.

Ndryshe, në mbledhjen e sotme të Komitetit për koordinim dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike u diskutua për vendosjen e masave të reja anti COVID. Derisa ende s’janë bërë të ditura të gjitha rekomandimet, shkollat në vend synohet që të mbesin të hapura.

Pas kësaj mbledhje, ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka theksuar se janë të interesuar që shkollat t’i mbajnë të hapura.