Një nga hotelet më luksoze në Prevallë, ai i quajtur ‘Hotel Sharri’, Qeveria Kurti ishte mbledhur me 29 shkurt për ta mbajtur mbledhjen e radhës dhe për të diskutuar për të ardhmen e Kosovës, thonin se po finalizonin programin qeverisës.

Në hotelin i cili shquhet për luksin që ofron në Prevallë, Kurti kishte mbledhur ministrat dhe stafin e Qeverisë për të diskutuar për programin qeverisës mes dy partive,  hapjen e vendeve të reja të punës, zhvillimit ekonomik të vendit dhe shumë gjërave tjera.

Për këtë drekë në Prevallë, kabineti qeveritar i Kurti kishin shpenzuar mbi 1 mijë e 300 euro, e kjo është faktuar edhe tek harxhimet e ish-zëvendëskryeministrit Haki Abazi.

“Te kategoria “drekat zyrtare” përfshihen shpenzimet për tërë kabinetin përkatës, gjithashtu te ZvK Haki Abazi është përfshirë edhe dreka në restaurant Sharri në vlerë 1 mijë e 375 euro”, thuhet në sqarimin e Zyrës së Kryeministrit.

4 mijë e 455 euro i ka shpenzuar nga buxheti i shtetit në dreka ish-kryeministri Albin Kurti, përgjatë katër muajve sa ishte në udhëheqje të Qeverisë së Kosovës.

Por, gjatë kohës sa ishte në krye të ekzekutivit, Kurti dhe këshilltarët e tij i kanë shpenzuar mbi 140 mijë euro.

Kujtojmë se më 3 shkurt të këtij viti, Albin Kurti erdhi në krye të Qeverisë së re. Por, qëndrimi në këtë pozitë nuk i zgjati edhe shumë. Pas më shumë se një muaji nga dita që u zgjodh kryeministër, me 82 vota për, 32 kundër dhe një abstenim, deputetët votuan pro mocionit të mosbesimit të qeverisë, duke e shkarkuar kështu qeverinë e udhëhequr nga Kurti.