Mbeti i bllokuar mes flakëve në magazinë, nxirret i pajetë trupi i Arjan Salës

Është nxjerrë i pajetë trupi i 32-vjeçarit Arjan Sala, i cili mbeti i bllokuar pas zjarrit që ra në një magazinë tek Casa Italia.

Sipas policisë tek “Casa Italia” si rezultat i kërkimeve intensive, të pandëprera, nga zjarrëfiksit dhe shërbimet e Policisë, mëngjesin e sotëm u bë e mundur gjetja e trupit të pajetë, që dyshohet se i përket shtetasit Arjan Sala.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se trupi është parë nga xhaxhai i 32-vjeçarit, dhe më pas është dërguar në morg.

Trupi ka disa djegie në pjesë të ndryshme, por si strukturë është e rregullt. 32-vjeçari ishte me detyrë punonjës i shërbimit të sigurisë të një kompanie private.

Zjarri ra pasditen e së mërkurës rreth orës 15:00 një magazinë tek Casa Italia. Referuar dëshmisë së familjarëve, Sala ka shpëtuar rreth 20 punonjës të tjerë, e vetë është futur për të shuar zjarrin, por fatkeqësisht nga aty nuk ka mundur që të dalë. Në operacionin për shuarjen e flakëve u angazhuan të gjitha forcat zjarrfikëse të Bashkisë së Tiranës, nga Kamza, të Ushtrisë si edhe operacionet e kërkim shpëtimit të minierave.

Familjarët madje ngitën akuza në drejtim të Zjarrfikësve ku pretenduan se ajo ka mbërritur me vonesë dhe sikur kjo të mos mjaftonte nuk kanë pasur pajisjet e nevojshme për t’u ardhur në ndihmë djalit të tyre.