Mbetet pa përgjigje prokuroria: Emmerson ‘e vërteton’ se ata s’i kanë lexuar fare materialet

Ka vazhduar me tone të ashpra seanca në Speciale ndaj krerëve të UÇK-së.

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka akuzuar Prokurorinë e Specializuar se nuk e ka lexuar fare materialin e rregullit 102-3, të përbërë nga gjithësej 68 mijë dokumente, shkruan lajmi.net.

“Unë ju kërkova konkretisht që të pyesni se a e ka lexuar prokuroria secilin dokument të rregullit 103. A e ka parë mendja e njeriut material prej 68 mijë dokumentash”, tha ai.

Kësaj kërkese  iu përgjigj në mënyrë të tërthortë përfaqësuesja e Prokurorisë.

“Në rastin e kësaj natyre, parashikojmë që një sasi e madhe e materialeve mund të lidhet me çështje shfajësuese. Nuk po sugjerojmë që kjo është më pak detyrim për ne për materialet, por desha të vija në dukje se mund të mos ketë shumë materiale shfajësuese të reja. Siç tha ekipi i z.Thaçi lidhen me dëshmitarë që janë përdorur nga ne. Nuk e kam numrin përpara të materialeve të rregullit 102-3. E di që kohët e fundit kemi marrë materiale që nuk  i janë nënshtruar shqyrtimin tonë”, tha përfaqësuesja e Prokurorisë.

Ndaj kësaj deklarate u përgjigj menjëherë avokati Emmerson.

“Zonja Losson nuk i përgjigjet pyetjes sigurisht, sepse sapo tha që nuk i kanë shqyrtuar materialet e rregullit 102-3 për materialet shfajësuese. Ku e di ajo për çështjet shfajësuese?  Ne jemi mbrojtja dhe ne na kërkohet të shqyrtojmë materiale kur prokuroria as që e ka parë fare. Ajo s’e pëlqen që unë përdor këtë gjuhë, nuk i pëlqen që unë them “keqpërdorim” i çështjes nga Prokuroria. Nga përvoja ime, kjo është keqëpërdorim i Prokurorisë”, tha Emmerson.