Mbetën jashtë Kuvendit, Haxhiu: Unë, Albini, Glauku, Arbeni, Hakiu do t’i përvjelim mëngët

Albulena Haxhiu e ka quajtur fatkeqësi mbetjen jashtë  Kuvendit të njerëzve më të votuar të partisë së saj, Lëvizjes Vetëvendosje.

Haxhiu ishte e ftuar në emisionin ‘DPT te Fidani’, ku tha se do t’i përvjelim mëngët dhe do të punojmë në terren, përkundër mbetjes jashtë Kuvendit.

“Është fatkeqësi që në Kuvendin e Kosovës nuk do të jenë personat më të votuar. T’i lësh jashtë Kuvendit personat më të votuar, kjo nuk ka të bëjë me demokraci. Unë Albini, Glauku, Arbeni, zoti Abazi do t’i përvjelim mëngët dhe do të punojmë në terren. Nga situate e krijuar nga Gjykata Kushtetuese, e vetmja rrugë është me i fitu 51 për qind”, tha Haxhiu.

Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Arben Vitia dhe Haki Abazi, edhe pse ishin zgjedhur deputet në legjislaturën e fundit, kishin hequr dorë nga pozita e deputetit për tu bërë pjesë e Qeverisë Kurti.

Sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, secili deputet që merr post ekzekutiv është i detyruar të dorëzojë mandatin.