Mbështetje e hapur për Joe Biden president nga 81 laureatë të Nobelit

Tetëdhjetë e një laureatë të Çmimit Nobel dhanë mbështetjen për kandidatin demokrat në zgjedhjet presidenciale në SHBA, Joe Biden, në letrën e hapur të sotme, duke theksuar “gatishmërinë e ish nënpresidentit për të dëgjuar ekspertë” dhe “angazhimin e tij të thellë për të përdorur shkencën për të gjetur zgjidhje”.

Laureatët e Çmimit Nobel në Kimi, Mjekësi dhe Fizikë, theksuan rëndësinë e udhëheqësve të zgjedhur që marrin vendime të bazuara në shkencë, veçanërisht gjatë kohës së pandemisë globale, transmeton CNN.

“Në asnjë moment të historisë së kombit tonë nuk ka pasur nevojë më të madhe për udhëheqësit tanë të vlerësojnë vlerën e shkencës në formulimin e politikës publike”, thuhet në letër. “Gjatë kohës së shërbimit të tij të gjatë në shërbimin publik, Joe Biden ka demonstruar vazhdimisht gatishmërinë e tij për të dëgjuar ekspertë, kuptimin e tij për vlerën e bashkëpunimit ndërkombëtar të kërkimit dhe respektin e tij për kontributin që emigrantët japin në jetën intelektuale të vendit tonë”, konsiderojnë laureatët e Çmimit Nobel.

“Krizat e shumta që po has vendi ynë, duke përfshirë krizën e dezinformimit, kërkojnë udhëheqës me respekt të thellë për shkencën dhe të vërtetën”, tha Roger Kornberg, fitues i Çmimit Nobel në Kimi në vitin 2006. “Unë mbështes agjendën pro-shkencore të Joe Biden dhe qasjen e tij të arsyeshme ndaj vendimeve të shëndetit publik. Lider i vërtetë që do të përballet me të vërtetën dhe të jetë i sinqertë me popullin amerikan”.

“Tani më shumë se kurrë, vendi ynë ka nevojë për udhëheqës të zgjedhur që marrin vendime të bazuara në shkencë”, tha Elizabeth Blekburn, fituese e Çmimit Nobel në Mjekësi në vitin 2009. “Joe Biden është udhëheqësi që na duhet për të luftuar pandeminë e Kovid-19. Ai do të dëgjojë komunitetin shkencor dhe mjekësor për të gjetur zgjidhje që më në fund do të na tërheqin nga kjo pandemi vdekjeprurëse dhe do të përmirësojnë shëndetin e popullit amerikan”.

Kerol Grejder, fituese e Çmimit Nobel në Mjekësi në vitin 2009, tha: “Udhëheqësit tanë të zgjedhur duhet të marrin vendime bazuar në fakte dhe shkencë. Unë mbështes fuqimisht Joe Biden për angazhimin e tij për të sjellë profesionistë të shëndetit publik, dhe jo politikanë, përsëri në vijën e parë”, janë vetëm disa nga porosit e 81 fituesve të Çmimit Nobel që mbështesin kandidatin demokrat.