Kryetari i Komunës së Rahovecit, njëkohësisht zyrtar i lartë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Smajl Latifi bashkë me deputetin e Kuvendit, Bekë Berisha po qëndrojnë në Gjermani për të takuar bashkatdhetarë që jetojnë e veprojnë në këtë vend.

Përveç takimit me bashkatdhetarë, Latifi ka bërë të ditur se sot është formuar edhe nëndega e AAK-së në Manheim të Gjermanisë.

“Mobilizim dhe përkrahje e madhe për Aleancën edhe në MANHEIM të Gjermanisë, ku patëm rastin të jemi bashkë me deputetin Bekë Berisha, si dhe nënkryetarin e Rahovecit, Fatmir Iska, me të cilët erdhëm nga Kosova. Sot, u formua nëndega e Aleancës në Manheim dhe kryetar u zgjodh miku dhe bashkëluftëtari im, Kol Gashi nga Dobidoli i Rahovecit, si dhe kryesia e nëndegës prej 9 anëtarësh. Këtë aktivitet e kanë nderuar Pleurat Berisha, Kryetar i degës në Baden-Wurtemberg, Ukë Blakaj, Kryetari i AAK-së për Gjermani, Can Tahiri, Koordinatori i Aleancës për Gjermani, Selim Hoti, Kryetari i AAK-së për Bavari, Gresa Pozhegu, kryetare e nëndegës në Böblingen, poashtu edhe Fatmire Nrecaj, udhëheqëse e Forumit të Gruas Shqiptare në mërgatë, si dhe veprimtarë e mbështetës të tjerë”, ka thënë Latifi. Latifi është impresionuar nga pjesëmarrja masive e bashkatdhetarëve në aktivitete gjatë qëndrimit të tyre në Gjermani.

“Është impresive pjesëmarrje të madhe, duke u bashkuar me ne njerëz dhe kuadro të mirë me profile të reja, që kanë shënuar arritje me punë për t’u marr shembull. Ky interesim i shprehur nga bashkatdhetarët edhe në këtë takim, janë tregues se Aleanca po rrit peshën, rolin dhe është e mobilzuar dhe përkushtuar si asnjëherë më parë, për të fuqizuar seriozisht projektin e përbashkët për ndryshime reale, të cilat janë me interes të madh për Republikën e Kosovës, përmes votës së lirë, më 9 shkurt 2025”, është shprehur Latifi.

Ai ka falenderuar bashkatdhetarët [për kontributin e tyre dhe ka ftuar të bëhen bashkë për t’ia kthyer dinjitetin Kosovës.

“Bashkë, do t’ia kthejmë dinjitetin Kosovës dhe popullit tonë.Faleminderit për angazhimin, kontributin, mbështetjen dhe besimin tuaj, bashkatdhetarë. Urime dhe mbarësi ekipit nga Manheimi dhe kryetarit të zgjedhur, Kol Gashi!Faleminderit për këtë mikpritje kaq të ngrohtë! Na priftë e mbara!”, ka përfunduar Latifi.