Zgjedhjet e Serbisë

​Mbështetet qëndrimi i Kurtit për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë

Partia Demokratike e Kosovës dhe njohës të proceseve zgjedhore mbështesin qëndrimin e kryeministrit, Albin Kurti për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë më 17 dhjetor në Kosovë.

Sipas partisë opozitare, sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ka dëshmuar qëllimet e Serbisë në Kosovë, andaj as nuk duhet të diskutohet kërkesa për lejimin e mbajtjes në zgjedhjeve në territorin e vendit. Në të kundërtën, njohësit konsiderojnë se Serbia duhet të ketë marrëveshje ndërshtetërore me Kosovën për të organizuar zgjedhjet në vendin tonë, gjithmonë në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, thotë për KosovaPress, se zgjedhjet e Serbisë nuk duhet të lejohen të mbahen në Kosovë.

“Në rrethanat pas 24 shtatorit, kemi pa komplotin që e ka organizuar Serbia, ku u vra polici (Afrim Bunjaku) dhe u plagosët policë të tjerë dhe që u sulmu integriteti i shtetit tonë, mendoj se nuk ia vlen as të diskutojmë, pasi nuk duhet të mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë. Nuk ka një bashkëpunim të mirëfilltë sa i përket mbajtjes zgjedhjeve ose jo”, thotë ai.

Në anën tjetër, ish-kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Mazllum Baraliu, thotë për KosovaPress, se qëndrimi i institucioneve të Kosovës në këtë rast është parimor.

Ai shton se OSBE-ja, nuk mundet të bëjë kinse grumbullimin e votave në veri, e në fakt atje bëhen zgjedhjet jashtë rregullave të KQZ-së dhe ligjeve zgjedhore në fuqi.

“Jo, nuk duhet lejuar (të mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë). Konsideroj që qëndrimi i institucioneve tona është edhe parimor dhe konsistent në atë që duhet vepruar në frymën e Kushtetutës dhe ligjeve të tjera në fuqi. Në qoftë se Serbia dëshiron të mbajë zgjedhjet, nuk mundet si deri më tani. As OSBE-ja nuk mundet të bëjë kinse grumbullimin, në fakt atje bëhen zgjedhjet jashtë rregullave të KQZ-së dhe ligjeve zgjedhore në fuqi. Serbia duhet të kuptoj se tani më duhet të paktën në segmente të caktuara kur ka interesa, siç është rasti tash që iu duhen vota të qytetarëve serb në Kosovë, të respektoj kërkesën e qeverisë. Ajo nuk është asgjë më shumë apo më pak siç janë parimet dhe rregullat e të drejtës ndërkombëtare që kërkojnë respektimin e sovranitetit të një shteti”, tha ai.

Serbia më 3 nëntor ka dërguar një kërkesë OSBE-së, që ky mision të përfshihet në mbledhjen e votave të serbëve të Kosovës, që kanë shtetësi të dyfishtë, për zgjedhjet në Serbi, më 17 dhjetor.

Në lidhje me këtë kërkesë, kryeministri Albin Kurti dhe shefi i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport u takuan gjatë kësaj jave. Siç thuhet në komunikatën qeveritare, Kurti e ka bërë të qartë se për një kërkesë të tillë Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje të ndër-shtetërore dhe se kërkesa duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar.