Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka thënë se në ferr ekziston një vend i veçantë për politikanët që e kanë mbështetur daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian pa një plan të përgatitur paraprakisht.
Ai e ka përsëritur qëndrimin e BE-së se marrëveshja e nënshkruar me kryeministren May nuk do të rinegociohet. Duke folur para gazetarëve pas takimit me kryeministrin irlandez, Leo Varadkar, Tusk i ka sulmuar edhe kryeministren britanike dhe liderin e opozitës, duke thënë se ekziston një zbrazëti e lidershipit në zemër të lëvizjes për mbetje të Britanisë së Madhe në BE.
Tusk, i cili nuk e ka fshehur asnjëherë shpresën e tij që Britania e Madhe ta ndryshojë qëndrimin, tha se e di që në këtë shtet ende është një numër i madh i njerëzve që dëshirojnë ta kthejnë prapa vendimin për tërheqje të vendit të tyre nga blloku.
“Këtu nuk ka hapërsirë për spekulime. Bashkimi Evropian është në rend të parë dhe para së gjithash një projekt i paqes. Ne nuk do të luajmë me paqen”, tha ai, duke e kundërshtuar kërkesën britanike për përcaktimin e një kufiri kohor për vendosjen e kontrollit kufitar me Irlandën, shkruan “The Guardian”, transmeton Ballkani.info







