Mbërrijnë ekipet e shpëtimit, personeli nga Shqipëria dhe Kosova nis punën në Turqi

Shqipëria dhe Kosova kanë dërguar ekipe shpëtimi në Turqi, në zonat e prekura nga tërmeti apokaliptik. Menjëherë pas goditjes së parë me intensitet 7.8 ballë, e pasuar nga më shumë se 200 lëkundje të tjera, të dy vendet u angazhuan dhe dërguan ekipet më të mira të shpëtimit. Të dy ekipet përkatëse janë atje tashmë dhe po ndihmojnë për të shpëtuar jetë nën rrënoja.

Mbërritjen e grupit shqiptar me 36 forca të specializuara e ka transmetuar edhe kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, duke ka shpërndarë një fotografi pak minuta përpara zbritjes së skuadrës në terren.

Edhe mbërritja e kontingjentit të parë të skuadrave speciale të Kosovës, që ka shkuar në qytetin e goditur të Adanasë, është njoftuar me video nga fondacioni SETA në Washington.

Njoftimin për nisjen e këtij kontingjenti drejt Turqisë e kishte bërë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ekipet e shpëtimit kanë vazhduar operacionet edhe të martën për të gjetur të mbijetuar në rrënojat e mijëra ndërtesave të rrëzuara nga një tërmet me magnitudë 7.8 dhe pasgoditje të shumta që goditën Turqinë lindore dhe Sirinë fqinje, me zbulimin e më shumë trupave duke e çuar numrin e të vdekurve në më shumë se 5 mijë, shkruan euronews.al.

Vendet në të gjithë botën kanë dërguar ekipe për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit dhe agjencia e menaxhimit të fatkeqësive të Turqisë ka thënë se më shumë se 24 mijë forca emergjence janë tani në terren.

Por me një zonë kaq të gjerë territori të goditur nga tërmeti me gati 6 mijë ndërtesa të konfirmuara që janë shembur vetëm në Turqi, nevojat për ndihma, sidomos në ditët e para mbetet më e madhe.

Përpjekjet për të arritur të mbijetuarit janë penguar dhe nga temperaturat nën zero dhe lëkundjet e shpeshta.