Sulmuesi francez, Kylian Mbappe mendon se bashkëlojtarët e tij te Paris Saint Germanin, Neymar dhe Cavani nuk do të kenë probleme me njëri-tjetrin përkundër që kishin një fjalosje në takimin miqësor Brazil-Uruguai javën e kaluar.
Neymar ishte realizator i golit të vetëm në atë përballje, ndërsa gjatë minutave të fundit të ndeshjes braziliani duke mbrojtur një top në vijë u qëllua nga Edinson Cavani meqë rast uruguaiani u ndëshkua me karton të verdhë.
Mbappe insiston se nuk ka probleme derisa zbuloi se kishte bërë shaka me Neymarin në WhatsApp pas përfundimit të ballafaqimit me Uruguain.
“Cavani është lojtar i madh. Ai është shumë i mirë te PSG-ja. Unë i kam dërguar një video Neymarit pas rastit me Cavanin dhe ai u qesh, kështu që nuk është ndonjë gjë. Ishte një duel, që të dy përfaqësojnë shtetet e tyre, dhe nuk do të ketë asnjë pasojë te Paris Saint Germain, ata do ta përqafojnë njëri-tjetrin dhe do të shënojnë gola së bashku”, tregoi Mbappe.
Neymar dhe Cavani ishin bërë protagonistë të një momenti negativ derisa ky i fundit nuk i kishte lejuar gjuajtjen e penalltisë ish sulmuesit të Barcelonës gjatë një ndeshjeje me Lyonin në Ligue 1 edicionin e kaluar.







