KQZ

“Mbajtja e zgjedhjeve në veri, plotësim i një kushti të BE-së”

Komisioni Qendror Zgjedhjeve tha se ende nuk dihet se kur do të bëhet shkarkimi i 4 kryetarëve të komunave veriore pasi procesi është në fazën e verfikimit të nënshkrimeve të mbledhura të peticionit. Njohës të proceseve zgjedhore konsiderojnë se deri te shpallja e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, do të nevojiten disa muaj.

Në KQZ thonë se janë në proces të verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë.

“Ende jemi në proces të verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Ashtu siç kemi njoftuar, ky proces do të na marrë kohë pasi të dhënat që i kemi pranuar janë të mbledhura në format fizik. Pas përfundimit të verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura, do të përgatisim raport për çdo komunë dhe do të njoftojmë Ministrinë, kryesuesit e kuvendeve komunale, kryetarët e komunave dhe grupet nismëtare”, tha Elezi.

Ndërsa ish-kryetari i KQZ-së, profesori universitar Mazllum Baraliu, thotë se nëse arrihet kuota 50% plus një votë e qytetarëve për largimin e kryetarëve, atëherë presidentja duhet t’i shpallë zgjedhjet në afat prej 30 ose 45 ditëve.

“Në fazën që po flasim ndodhemi para KQZ-së ku bëhet procesi i verifikimit i të gjitha të dhënave nga numri i letërnjoftimit nënshkrimi, vendbanimi i qytetarëbe te cilët kanë berë kërkesë për shkarkim të kryetarëve dhe ajo kërkesë ai proces ka vazhduar. Nëqoftëse tash pas verfikimit të procesit del që procesi i kërkesave ose asaj që ata po e quajnë peticionet, ka qenë në rregull, atëhere duhet të bëhet votimi dhe në votim të atij trupi elektoral prej 20% do të duhej 50.1% duhet të votojnë pro shkarkimit, për shkarkimin e kryetarëve dhe pastaj procesi konsiderohet i kryer në aspektin administrativ dhe do të duhet të kaloj në kompetencë të presidencës e cila do duhet të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme”, tha Baraliu për RTV21.

Mbajtja e zgjedhjeve në katër komunat veriore, sipas politologut, Fidan Ukaj, nënkupton edhe plotësimin e një nga kritereve të BE-së për heqjen e masave ndaj Kosovës.

“Mbetet të shihet se a është plotësu vërtetë kjo kuotë e 20% dhe poashtu a është plotësu edhe pikat e udhëzimit administrativ që më pastaj të vazhdohet me pjesëmarrjen 50 plus 1% në lokalitetet ku është marrë kjo iniciativë dhe pastaj të shkojnë në proces zgjedhor. Është një mundësi e ofruar ndaj komunitetit serb ne atë pjesë dhe të plotësohet një nga kriteret e faktorit ndërkombëtarë që ishte mbajtja e një procesi të ri zgjedhor në katër komunat veriore dhe mendoj më pastaj nuk do të kishte asnjë arsye faktori ndërkombëtarë që as plotësimittë këtyre ti mbajë sanksionet ndaj Kosovës”, u shpreh Ukaj.

Kryetarët shqiptarë të komunave në veri, u zgjodhën në prill të vitit 2023, në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët, në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

VIDEO BONUS: Punëtorët teknikë ankohen për paga, kanë hyrë në grevë në shkollat e Prishtinës