Mbahet seanca për buxhetin, LDK thirrje deputetëve

Më 26 dhjetor të vitit të kaluar ishte mbajtur seanca konstituive e legjislaturës aktuale, ndërsa një vit më pas të njëjtit deputetë mblidhen ndoshta për herë të fundit për të votuar buxhetin e vitit të ardhshëm (2021) dhe disa marrëveshje ndërkombëtare.

Kuvendi i Kosovës zyrtarisht ka njoftuar se sot më 28 dhjetor, në ora 11:00, do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për ndarjet buxhetore për buxhetin e vitit 2021.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka bërë të ditur javën e kaluar se seanca plenare është thirrur me kërkesë të më shumë se 40 deputetëve.

Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon miratimin e buxhetit para mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare, pasi Kushtetuesja vendosi se vota e deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti në qershor ishte e pavlefshme.

Thirrje për votim të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare deputetëve u kanë bërë edhe kryeministri në detyrë Avdullah Hoti dhe shefi i GP të LDK-së Arben Gashi.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se do të votojë pro miratimit të buxhetit.