Mbahet punëtori për përzgjedhjen e kandidatëve të partive politike

Fondacioni Westminister për Demokraci ka organizuar një punëtori në Prishtinë për “Procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve të partive politike në Britani të Madhe”.

Profesoresha nga Britania, Jo Silvester, e cila është hulumtuese e këtij procesi ka thënë se përzgjedhja e kandidatëve është një nga funksionet më të rëndësishme të një organizate demokratike dhe mekanizmi primar nëpërmjet të cilit partitë politike vendosin nëse një individ ka cilësitë e nevojshme për t’u bërë përfaqësues i zgjedhur.

“Përzgjedhja e kandidatëve politikë në përgjithësi ka të bëjë me aftësinë e një partie politike për të tërhequr, miratuar dhe zgjedhur një grup individësh të talentuar që do jenë tërheqës për votuesit dhe të mbeten besnikë ndaj vlerave të partisë politike”.

Në këtë punëtori pjesëmarrëse ishte edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, e cila tregoi për punën e këtij institucioni.

“KQZ është organ i pavarur i themeluar në pajtim me Kushtetutën, e cili përveç aspektit të organizimit të zgjedhjeve është përgjegjës edhe për regjistrimin e partive politike. Ne kemi miratuar edhe rregullin për regjistrimin e partive politike”.

“Një aspekt i rëndësishëm në këtë drejtim është marrja parasysh e integritetit të kandidatëve pasi ndikon në organizim më të lehtë të zgjedhjeve. Tash është në dorën e partive politike që të nominojnë persona të ndjekur me vepra penale në listën e tyre apo jo”.

Shefi i Sektorit për Demokratizim në Ambasadën Britanike në Kosovë, Sam Paice, tha se ky mekanizëm është parësor për të vendosur për cilësitë e nevojshme që i duhen një kandidati për t’u zgjedhur.

“Përzgjedhja e drejtë e kandidatëve është e rëndësishme për partitë politike, për votuesit dhe për demokracinë në përgjithësi. Kandidatët të cilët partia politike përzgjedhë ata janë fytyra e partisë. Ky është një proces shumë kompleks pasi gjithë mandatin e ardhshëm do mbështeteni në këta persona”.

“Në emër të Ambasadës Britanike me dëshirën për të parë Kosovën të lulëzojë në demokracinë brenda partive në mënyrë që të shohim kandidatë të aftë për të kryer përgjegjësitë e tyre. Ne jemi të kënaqur që mund të ju ndihmojmë në këtë proces”.