Maturantët nuk arritën të përgatiten për Testin e Maturës, shkak COVID-19

Pas shumë kohësh maturantët u rikthyen në bankat e shkollës. Por, këtë herë ata erdhën për t’iu nënshtruar Testit të Maturës.

Kësaj here rikthimi i tyre në shkolla ishte krejtësisht ndryshe. Me maska e dezinfektues, ata u bashkuan në oborrin e shkollës për të vazhduar më pas në klasat e shkollës ku do t’i nënshtrohen testit.

Drejtori i Gjimnazit “Sami Frashëri”, Fetah Fejzullahu, ka treguar se shkolla që ai drejton ka bërë përgatitjet ashtu siç edhe është rekomanduar në mënyrë që mbarëvajtja e testimit të shkojë siç duhet.

“Përgatitjet janë bërë bukur mirë, qoftë nga ana e Ministrisë së Arsimit, drejtorisë komunale por edhe nga ne këtu menaxhmenti i shkollës. Kemi dezinfektuesit, do të thotë i kanë marrë nxënësit gjatë hyrjes, gjithashtu i kanë pas edhe maskat. Këtu janë edhe zyrtarët e ministrisë me teste”, deklaroi Zejnullahu.

E situata e krijuar nga pandemia me COVID-19 ka bërë që ta rrisë edhe më shumë stresin te nxënësit.

Nxënësi Ardian Bunjkau para se t’i nënshtrohet testit ka thënë se nuk kanë mundur të përgatiten në mënyrën më të mirë, meqë orët janë mbajtur online.

“Sa i përket parapërgatitjes për testin e maturës të gjithë së paku kena mësu prej orëve online, nuk na ka ra me u përgatit qysh duhet me ardh me mbajt testin në klasë shkaku i pandemisë. Ka ndiku mjaftë keq te krejt nxënësit për shkak se presioni mos po infektohet dikush, plus edhe tash stresi për test është njëfarë presioni mjaftë i madh për neve si adoleshentë”, tha Bunjaku.

Se ky vit është më i vështirë shkak i pandemisë, e tha edhe nxënësi Florent Sylejmani. Ai tha se kjo situatë ka ndikuar negativisht tek ta.

“Po jena përgatit paraprakisht sa kemi mundur, por dhe pandemia ka ndikuar shumë në këtë test madje ka ndikuar goxha negativisht. Nuk kemi mundur të kemi përgatitjen e duhur ashtu siç e kemi planifikuar të mbajmë në shkollë, prandaj edhe kemi mbetur mbrapa”, tha Sylejmani.