Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, po raporton para Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, lidhur me hidrocentralet dhe gurthyesit.

Matoshi ka thënë se gjendjen e ka gjetur të tillë kur ka ardhur në krye të ministrisë. Matoshi ka thënë se nuk e ka fuqinë që të ndërmarrë diçka në këtë aspekt, pasi sipas tij, kompanitë ndërtuese kanë dokumentacionin e nevojshëm për ndërtimin e tyre.

“I bashkëndjej shqetësimet e banorëve por gjendja në të cilën aktualisht jemi. Komuna e Shtërpcës operon hidrocentrali Sharri si dhe Brezovcia, pastaj hidrocentrali Shtërpca i cili po ashtu posedon dokumente si dhe Mako. Secili prej tyre i nënshtrohen Komunës së Shtërpcës dhe jo Ministrisë, nga ne kanë vetëm pëlqimet”.

“Shpeshherë po përmendet se banorët janë rreziku e s’kanë guxu me ardhë, ju duhet ta thërrisni Ministrin e Punëve të Brendshme. Unë nuk mundem me marrë përgjegjësinë si ministër me ia pagu penalltitë dhe dëmet atyre që kanë dokumentacion. Po kohëve të fundit ka pasë problem me ueb faqe. Po deputetet s’kanë nevoje me marrë leje për qasje në dokumente zyrtare”, tha ai.

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, tha se çështja e hidrocentraleve është një avancim për bizneset dhe mjerim për qytetarët.

Aty nga deputetët u kërkua që të formohet një Komision Hetimor lidhur me Çështjen e Hidrocentraleve dhe Gurthyesve.