AKR

Matoshi: Një koalicion LDK-VV s’do t’i sillte kurrfarë të mire vendit

Fatmir Matoshi nga AKR-ja ka thënë se një koalicion mes LDK-së dhe VV-së nuk do t’i sillte asnjë të mirë vendit.

Në Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë madje se kjo çfarë po bëjnë këto dy parti është njëfarë blofi.

“Mendoj se është një blof politik çështja e koalicionit LDK-VV. Kemi qenë pjesë e koalicionit me LDK-në ku kanë qenë 61 deputetë shqiptarë. Por, s’ka pasur një vullnet të LDK-së e VV-së që të garojnë bashkë. Nëse ata po e përdorin këtë kundër blloqeve tjera, është çështje e tyre. Nëse ka koalicioni LDK-VV, e përshëndesim dhe do të mund të ishim pjesë e një koalicioni të tillë. Por, duhet të dihet se kush do ta udhëheqë atë koalicion, kush do të jetë kryeministër… Kam dyshime që mund të arrihet një koalicion LDK-VV sepse janë shumë të kundërta me njëra-tjetrën, ideologjikisht. Një koalicion i tillë s’do t’i sillte kurrfarë të mire vendit”, theksoi ministri në dorëheqje i Mjedisit.

Për PDK-në, ai tha se partia që ai përfaqëson nuk ka vija të kuqe dhe shton se çështja e vijave të kuqe është kthyer në modë.

“Ne s’kemi vija të kuqe për PDK-në, sepse është bërë modë kjo çështja e vijave të kuqe ndaj PDK-së. Vijat e kuqe për PDK-në vijnë kryesisht nga ish-anëtarë të PDK-së. Moda e përjashtimit të PDK-së nga çdo variant ndoshta është e nxitur edhe nga vet PDK-ja”, tha ai, duke theksuar se AKR-ja s’ka asnjë vijë të kuqe për asnjë parti shqiptare.

Matoshi tha se AKR-ja, edhe si e vetme në garën zgjedhore, do të kalonte pragun. Por, tha ai, në kohën e koalicioneve të mëdha, një parti relativisht e vogël, duke iu referuar AKR-së, mund të mos merrte vota të mjaftueshme.

Duke folur për Labinot Tahirin, deputetin e AKR-së, Matoshi tha ta ketë votuar për deputet, por shtoi se më s’do ta votonte atë.

Ai tha se Kuvendi duhet të shpërndahet më 22 gusht.

loading…