Matoshi e quan ‘Fond të Zi’, atë që e krijoi Kurti për t’iu kërkuar para diasporës

Publicisti i njohur, Halil Matoshi, njëherësh edhe ish-këshilltari i Ramush Haradinajt, ka kritikuar ashpër kreun e Qeverisë, Albin Kurtin, për fondin e krijuar ku iu kërkohet para mërgimtarëve të vendit që të ndihmojnë në tejkalimin e situatës së vështirë që ka krijuar pandemia Covid-19 në Kosovë.

E një fond të tillë, Matoshi e ka cilësuar si “fond i zi”, duke shtuar se në të nuk përfshihen as taksa ligjore, e doganave dhe akcizave, kredive të institucioneve kredibile ndërkomëbtare e të huasë publike.

“Kushtetuta e Kosovës dhe Ligji mbi financat publike nuk lejojnë “fonde qeveritare” tjera pos atyre që përfshihen në këtë ligj; taksa ligjore, doganave e akcizave, kredive të institucioneve kredibile ndërkombëtare, donacioneve dhe granteve shtetërore, si dhe huasë publike!” , ka shkruar Matoshi në Facebook,

Në reagimin e tij ai ka përmendur edhe fondet e famshme të kohës së luftës si “3 përqindëshi” dhe “Vendlindja thërret”, por të cilat ishin themeluar gjatë kohës sa nuk ekzistonte shteti i Kosovës dhe Kushtetuta e tij.

Statusi i plotë: 

“Kryeministri në detyrë po krijon “Fonde të Zeza”

Albin Kurti thirri sot diasporën për të ndihmu menagjimin e Covid19 përmes një gjirollogarie pa mbështetje ligjore!

Qeveria e ligjshme ka të drejtë me mbledhë dhe distribuue vetëm fonde me burime ligjore.
Kushtetuta e Kosovës dhe Ligji mbi financat publike nuk lejojnë “fonde qeveritare” tjera pos atyre që përfshihen në këtë ligj; taksave ligjore, doganave e akcizave, kredive të institucioneve kredibile ndërkombëtare, donacioneve dhe granteve shtetërore (shteteve njohëse) si dhe huasë publike!
Çdo kërkesë tjetër është thirrje për themelim “fondesh të zeza”!?
Republika e Kosovës nuk është vullnet i një njeriu, as një Qeverie!
Paligjësia edhe kur ndodhë me qëllimin më të mirë e human, nuk ka emër tjetër pos PALIGJËSI!

P.S.

Kjo thirrje për “Fondin Kurti” është ilegale në kuptimin e shtetit juridik, sepse kërkon krijim fondesh jashtë vendit dhe pa mbështetje ligjore, sikur në epokën e “3%-shit” dhe “Fondit Vendlindja thërret”, porse atëbotë Kosova nuk ishte e sovranizuar dhe nuk mund të grumbullonte pare përmes burimeve ligjore (ligjet ishin të pushtuesit) për funksionimin e “shtetit paralel” në arsim, shëndet publik, asistencë sociale e më pas edhe armatime për nevojat e luftës çlirimtare!”