Mashtrimi i Qeverisë Kurti, marrëveshja për targat më e keqe se ajo e vitit 2011

Albin Kurti e ka kthyer shumë prapa dialogun me Serbinë.

Marrëveshja e arritur mbrëmë në Bruksel për targat e ka kthyer Kosovën edhe para vitit 2011. Në marrëveshjen e 2 korrikut të vitit 2011, Kosova dhe Serbia ishin marrë vesh që të gjithë pronarët e automjeteve me vendbanim në Kosovë do t’i përdorin targat RKS ose KS. Sipas asaj marrëveshjeje, ata do të lëshohen nga autoritetet përkatëse në Kosovë dhe do të shpërndahen me ndihmën e EULEX-it kudo që kërkohej. Secila palë kishte marrë përgjegjësi që të bënte përpjekje maksimale për të implementuar si më lartë.

Meqë marrëveshja nuk ishte zbatuar, kjo çështje ishte kthyer sërish në temë diskutimi, shkruan Demokracia.com.

Në 14 shtator 2016, Kosova dhe Serbia ranë dakord të vendosnin letërngjitëse në targat e automjeteve RKS dhe SRB, duke mbuluar në këtë mënyrë pjesët përkatëse të targave të automjeteve, kur hyjnë në territorin e njëra-tjetrës. Kjo masë do të zbatohej në mënyrë identike për të dy palët dhe do të kontribuonte në shkurtimin e orëve të pritjes në kufi (për qytetarët e Kosovës me targa të automjeteve RKS dhe anasjelltas), megjithatë kjo marrëveshje mbetet e pazbatuar. Kosova u pajtua gjithashtu që ta zgjaste vlefshmërinë e targave KS, për një periudhë pesëvjeçare.

Qeveria e Kosovës pra nuk solli ndonjë marrëveshje të re. Pas disa muajve tensione, prishje të marrëdhënieve me aleatët e Kosovës, pasi që Albin Kurti nuk pranonte të hiqte dorë nga një vendim i institucioneve për t’i gjobitur qytetarët serbë që mbajnë tabela serbe.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka dhënë detaje për marrëveshjen që është arritur sot në Bruksel mes kryenegociatorëve nga Kosova dhe Serbia, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
Borrell nëpërmjet një njoftimi ka thënë se sipas marrëveshjes së arritur sonte, Serbia do të ndalojë së lëshuari tabela me denominime të qyteteve të Kosovës, ndërkaq Kosova do të pushojë së ndërmarri veprime që lidhen me ri-regjistrimin e veturave.

“Serbia do të ndalojë së lëshuari tabela të regjistrimit me denominime të qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndalojë së ndërmarri veprime që lidhen me ri-regjistrimin e veturave”, ka shkruar Borrell.

Por, del se Serbia e ka mashtruar Kurtin dhe BE-në, pasi që librezat e veturës dhe targat në Serbi kanë afat të pakufishëm.

Këtë e konfirmon edhe gazetari Alban Selimi, i cili është me prejardhje nga Presheva.

“Sa për informacion, librezat e veturës dhe targat në Serbi kanë afat të pakufishëm. Realisht deri më 31.12.9999. Regjistrimi mund të vazhdohet vetëm në qendra të kontrollit teknik, ku merret stikersi dhe pa pasur nevojë me nderhy fare në librezë të veturës. Mos prodhimi i targave të reja, a nënkupton se te vjetrat do t’i kemi deri më 9999?! P.s. Libreza është e veturës time; që e kam të regjistruar në Preshevë!”, ka shkruar Selimi./ Demokracia.com/