Mashtrim flagrant i Haskukës, Komuna e Prizrenit ka kontratë për pastrimin e qytetit

“Prizreni është destinacioni më i rëndësishëm turistik në Kosovë. Ne deri më tani, jemi 7 muaj pa kontratë për pastrim për shkak të OSHP-së e jo për shkak të Komunës”, kishte thënë për KTV-në, Mytaher Haskuka, kryetar i Prizrenit.

Përmes kësaj deklarate të cilën ditë më parë, Mytaher Haskuka, kryetar i Prizrenit, e ka dhënë për KTV-në, ka pohuar se Komuna e Prizrenit nuk ka kontratë për menaxhim të mbeturinave nga shkurti i 2019-s.

Por KTV-ja ka siguruar këtë kontratë, të cilën e ka nënshkruar Haskuka me kompaninë rajonale të mbeturinave “EkoRegjioni” më 1 korrik të këtij viti, në vlerë të 2.1 milionë eurove, e në kohëzgjatje prej 18 muajsh.

Në bazë të kësaj kontrate, kompania e kontraktuar duhet të menaxhojë mbeturinat në Prizren, derisa qyteti është i rrethuar nga to.

Nënshkrimi i kësaj kontrate nga Haskuksa dhe deklarimi për KTV-në se Prizreni nuk ka kontratë për menaxhim të mbeturinave tash e 7 muaj, nga opozita po konsiderohet gënjeshtër drejtuar qytetarëve të Prizrenit.

Pas këtij deklarimi, opozita po kërkon dorëheqje të menjëhershme të Haskukës.

Qyteti i Prizrenit, i cili, sipas opozitës, tashmë prin në listën e qyteteve më të papastra në Kosovë, për shkak të qeverisjes Haskuka, është mbushur edhe me deponi ilegale të mbeturinave.

Vetë Haskuka, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë për KTV-në se bëhet fjalë për një kontratë tjetër të nënshkruar me kompaninë “EkoRegjioni”, e cila do të zgjasë deri fund të janarit të vitit 2021. Sidoqoftë, Prizreni, edhe pas aksionit të disa ditëve më parë të zyrtarëve komunalë për pastrim të qytetit, është në hall me mbeturinat, edhe në kohën kur atë po e vizitojnë mijëra turistë nga vende të ndryshme të botës.

loading…