MASHTI dhe SBASHK-u nuk pajtohen për zëvendësimin e orëve të humbura

Nxënësit u janë rikthyer bankave shkollore.

Por për të gjithë ato orë të humbura si pasojë e mbajtjes së grevës në shtator, ende nuk është gjetur një zgjidhje zëvendësimi.

Derisa Ministria e Arsimit po insiston që mësimi të mbahet shtesë në ditët e shtuna, sindikata nuk e pëlqen këtë propozim.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se qeveria duhet ta ndalë shkeljen e ligjeve dhe të ulet të bisedojë me ta.

Se e shtuna nuk duhet të jetë ditë mësimi e thonë edhe nga Këshilli i Prindërve.

Jeton Demi nga ky Këshill këtë metodë kompensimi të orëve e quan shkelje të të drejtave të fëmijëve.

Për krejt këtë situatë ka një propozim njohësi i Arsimit, Rinor Qehaja.

Sipas tij shkollat duhet të organizohen përkitazi me kapacitetet e tyre për zëvendësimin e orëve.

Si do që të jetë, ankesat e SBASHK-ut për mbajtje të mësimit të shtunën, nga Ministria e Arsimit nuk po i marrin parasysh.

Ata gjatë ditës dolën me njoftim se mësimi do të mbahet të shtunën dhe se inspektorati do të jetë në terren.

Gjatë muajit shtator janë humbur 22 ditë mësimi.