MASHT-i refuzon ankesat e drejtorëve të larguar, ata paralajmërojnë padi

Komisioni për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e 5 drejtorëve të larguar nga pozitat e tyre në këtë ministri.

Dy muaj më parë i njëjti komision nuk i kishte shqyrtuar fare ankesat me arsyetimin se nuk është kompetent, shkruan sot Koha Ditore.

Pas këtij veprimi, të larguarit Ferit Idrizi, Isni Kryeziu, Drita Kadriu, Murteza Osdautaj dhe Alush Istogu kanë bërë ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil (KPMSHCK), i cili i kishte kërkuar Komisionit të MASHT-it që t’i rishqyrtojë edhe një herë ankesat.

KPMSHCK-ja kishte konstatuar se Komisioni i MASHT-it duke mos i shqyrtuar ankesat ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për shërbyes civilë, Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative dhe me Rregulloren për procedurat e zgjidhjes së kontesteve dhe ankesave. Përkundër kësaj, Komisioni i MASHT-it më 8 janar ka nxjerrë vendim duke i refuzuar ankesat e drejtorëve si të pabazuara.