MAShT dhe OJQ ‘Toka’ me memorandum për ta ndihmuar rritjen e cilësisë në arsim

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka bërë të ditur se ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me drejtoreshën ekzekutive të OJQ-së “Toka”, Jehona Gjurgjeala, me qëllim të krijimit të përmirësimin e cilësisë së edukimit për fëmijët dhe nxënësit në sistemin parauniversitar në Kosovë.

“Sipas këtij Memorandumi një nga objektivat e definuara është implementimi i një programi edukativ dhe informativ për prindërit e fëmijëve 0-2 vjeç, që ka për synim informimin e prindërve me praktikat më të avancuara të edukimit dhe rritjes së fëmijëve”, ka shkruar ministri në profilin e tij në “Facebook”.

Po ashtu, sipas ministrit Bytyqi, është paraparë përkrahja e mësimdhënësve në zhvillimin e vazhdueshëm të shkathtësive të tyre pedagogjike, “që do të rezultojë në përmirësimin e rezultateve akademike të nxënësve”.

Tutje Bytyqi sqaron se ky memorandum do të ndihmojë në avancimin e standardeve mësimore të arsimit parauniversitar.

“Memorandumi parasheh bashkëpunim edhe në përkrahjen e institucioneve parauniversitare në ofrimin e një edukimi më bashkëkohor dhe cilësor për nxënësit e tyre, në përputhje me standardet e përcaktuara në Kurrikulën e re”, ka shkruar ai.