“Masat tona do të jenë të dhimbshme” – Vuçiq mbledh sot Këshillin e Sigurisë

Banorët serbë në veri të vendit kanë vazhduar të protestojnë, duke mbajtur të bllokuara rrugët që çojnë në pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë e Bërnjak për shkak të vendimit të sotëm të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar më qarkullimin me vetura me targa të Serbisë, njësoj siç vepron Serbia me targat RKS.

Protestuesit janë rigrupuar në Jarinjë dhe aty e kanë kaluar natën. Ndërkohë që situata sot paraqitet e qetë, gjatë ditës së djeshme ka pasur shumë deklarata nga krerët serbë që kanë akuzuar Kosovën për tensionim të situatës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar Kosovën për çdo pikë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, që sipas tij, janë shkelur nga shteti.

Udhëheqësi i Serbisë ka paralajmëruar edhe masa karshi vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin në targa,

“Nesër do të flasim për masat tona, do të jenë të dhimbshme, e sidomos në aspektin ekonomik. Shpresoj të mos jetë e nevojshme të marrim këto masa”, ka thënë ai.

Sot pritet edhe mbledhje urgjente e Këshillit serb të Sigurisë, dhe më pas adresim i presidentit Vuçiq.