Masat kundër Covid, Vranica: MSH-ja nuk po na konsulton, gastronomët po paguajnë faturën e gabimeve të partive politike

Gastronomët e Kosovës nuk po konsultohen nga Ministria e Shëndetësisë për masat kundër Covid-19. Ata madje thonë se sektori i tyre gjithmonë po goditet me vendime të rrepta. Kështu ka pohuar për Indeksonline, Arian Vranica, sekretar i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës.

Me rënien e rasteve e me përmirësimin e situatës epidemiologjike, gastronomët po kërkojnë edhe lirimin e masave. Mbajtjen e tyre në fuqi ata po e shohin të paarsyeshme.

“Ka kalu një kohë më shumë se një muaj që nuk jemi konsultu edhe e kemi pa të panevojshme realisht mbajtjen në fuqi të këtij vendimi duke i kufizu kaq shumë veprimtaritë e bizneseve ani pse rekomandimet shkencore e thonë të kundërtën që nuk është e arsyeshme të mbahet një masë shtrënguese për një periudhë më të gjatë se një javore sepse lakorja e shpërndarjes së virusit nuk po shkon duke u rrit në atë nivel sa të ketë nevojë që këto masa të vazhdojnë të jenë në fuqi, edhe tjetra po shohim që gjendja epidemiologjike është pak a shumë stabile”, u shpreh Vranica.

Vranica tutje theksoi se, partitë politike po i thyejnë masat gjatë fushatave zgjedhore, njëjtë siç ndodhi gjatë tetorit të vitit të kaluar. Andaj sektori i tyre po paguan “faturën” e gabimeve që po e shkaktojnë vetë ata.

“Gjendja e bizneseve nuk është e mirë, po shohim që ky vendim, edhe tash me fushatat që po mbahen nga subjektet politike, po përsëritet i njëjti skenar siç ka qenë në tetorin e vitit 2020, ku nuk po i respektojnë rregullat. Në anën tjetër, këto rregulla po vlejnë për bizneset, sidomos gastronominë të cilat shihen gjithnjë si një lloj ishulli i veçantë duke u goditur gjithmonë me vendime të rrepta edhe duke paguar faturën dhe gabimet të cilat po i shkaktojnë së pari ata që duhet të japin shembull të mirë, në këtë rast po japin shembull të keq, ku kemi parë që kanë ndiku te qytetarët”, tha ai.

Me mbylljen e këtij sektori e kufizimin e punës, Arian Vranica tha se kanë larguar nga puna shumë punëtorë e disave prej tyre i kanë ulur të ardhurat.

Kështu, ata kërkojnë të punojnë në bazë të rregullores komunale për oraret e biznesve e të hiqet ora policore.

Vranica tregon që nuk po kontrollohen këto biznese nëpër fshatra dhe aktiviteti i partive politike po mbahet me persona të shumtë, në kundërshtim me rregullat.

“Kanë kriju një lloj dëshpërimi te bizneset të cilat kishin kompromis të jashtëzakonshëm duke i ulur të ardhurat e punëtorëve, duke largu nga puna shumë punëtorë të tjerë, duke pasur një kosto të jashtëzakonshme. E kemi parë të arsyeshme që duhet të funksionojmë në bazë të rregulloreve komunale për oraret e bizneseve, duhet të hiqet ora policore sepse e njëjta gjë, nuk është se po i kontrollojnë fshatrat dhe partitë politike, po shohim që po mbajnë mbledhje me persona të shumtë duke mos pasur kontroll në kuptim të ndëshkimit të atyre personave që po futen brenda. Përveç se një dëmtim i vazhdueshëm i bizneseve, sidomos këtyre të gastronomisë.

Msh nuk po na fton në takim. Edhe tash kemi kërku një takim, por ministrja në detyrë Dafina Gexha nuk ka pasur kohë me u taku. As konsultim, as takim, as konsideratë për neve”, bëri të ditur ai.