Masat e reja: Ndalohen tubimet kulturore, sportive, fetare

Qeveria e Kosovës në pajtim me Rregulloren e Punës ka miratuar Vendimi për ndërmarrjen e masave, me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të infeksionit COVID-19

Pas analizës së situatës epidemiologjike në vend, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka pranuar rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për ndërmarrjen e masave të reja, me qëllim të parandalimit të përhapjes së infeksionit COVID-19.

Vetë miratimi i masave të reja nga Qeveria erdhi pas një përplasjeje publike mes partnerëve të koalicionit rreth masave të propozuara fillimisht. Ka qenë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partia e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ajo që ka dalë publikisht kundër masave të paralajmëruara, më saktësisht kundër masës që parashihte hyrjen në vetizolim të të gjithë shtetasve të Kosovës që kthehen nga vendet me rrezikshmëri të lartë të koronavirusit.

Meqenëse ka rritje të numrit të qytetarëve, të cilët kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar dhe Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Vendimin si në vijim:

“Ndalohen veprimtaritë rekreative, kulturore dhe sportive në mjedise të mbyllura dhe të hapura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë shkollat e futbollit dhe sportet e tjera, trajnimet e të gjitha lëmive etj.”

“Ndalohet pjesëmarrja fizike e qytetarëve në të gjitha ceremonitë dhe veprimtaritë fetare në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, e që rrjedhimisht me këtë kuptohet se nuk do të ketë falje të Kurban Bajramit këtë të premte.

Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit, me përjashtim të pikës së 8. të këtij vendimi, e cila hyn në fuqi më 30 korrik 2020.