Ilir Meta

Masa e sigurisë “detyrim paraqitje” për Berishën, reagon Meta: Urdhër politik për të shantazhuar opozitën

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta në reagimin e tij të parë e ka quajtur drejtësi me regji caktimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje” për Sali Berishën.

Sipas Metës, janë ndërmarrë veprime antikushtetuese me urdhër politik të kryeministrit Edi Rama për të shantazhuar opozitën.

“Drejtësia me regji ka ndërmarrë veprimet e saj antikushtetuese dhe të paligjshme ndaj Kryetarit të Partisë Demokratike Prof. Dr. Sali Berisha me urdhër politik të Edi Ramës.

Këto veprime, që kanë shkelur me këmbë edhe Parlamentin e Shqipërisë kërkojnë shmangien e vëmendjes nga korrupsioni dhe përgjegjësitë shumë të rënda personale të Edi Ramës për aferën e inceneratorëve dhe mjaft aferave të tjerave qindra milionëshe.

Qëllimi politik i vetëm është shantazhi dhe intimidimi i opozitës, e cila po denoncon me këmbëngulje të vërtetat shumë të hidhura të korrupsionit mafioz të Qeverisë”, thuhet në postimin e Metës.