Prishtinë

Marshohet për të Drejtat e Njeriut

Me moton “Çohu për të Drejtat e Njeriut”, qytetarë nga organizata joqeveritare dhe institucione kanë marshuar për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, u shpreh se ky është viti i dytë  që organizojnë marshe të tilla, për qëllim të respektimit të të Drejtave të Njeriut.

“Është viti i dytë që Institucioni i Avokatit të Popullit  bashkë më të gjitha organizatat joqeveritare  në Kosovë, tentojnë me shënu  Ditën Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut  që përkon me 70- vjetorin e zbatimit të deklaratës universale  për të drejtat e njeriut  si dokumenti kryesor  kyç për  të drejtat e njeriut. Sot nga ora 10:00  patëm një manifestim  në Teatrin e Kosovës, në të cilën shumica e organizatave  joqeveritare, përkatësisht njerëzit në nevojë patën prezantim të drejtpërdrejtë për të përçu  mesazhin më real  të mundshëm  mbi gjendjen.. nga të gjithë grupet e cenueshme, për të përfunduar dhe për të përmbyllur  këtë aktivitet me këtë marsh”, ka thënë ai.

Ai ka kërkuar nga institucionet  e vendit që të angazhohen më shumë  në respektimin e të Drejtave të Njeriut, e po ashtu edhe të dispozitave ligjore.

E drejtoresha e Qendrës për Barazi Gjinore, Luljeta Demolli,  është shprehur se Kosova lë shumë për të dëshiruar në aspektin e të Drejtave të Njeriut, ku shumë grupe sipas saj vazhdojnë të jenë të diskriminuara.

“Jemi bashkangjit me mesazhin e Avokatit të Popullit  për të dhënë një mesazh  që të punojmë drejt asaj  për të eliminuar diskriminimin  tek të gjitha grupet që janë, më të cenueshme  dhe më të margjinalizuara  në Kosovë.  Jemi disa organizata që  jemi bashkëngjit në këtë organizim, shpresojmë që viti tjetër  do të gjej Kosovën me një respektim  më të madh të të Drejtave të Njeriut, sepse siç e dini  të gjithë  kjo po mungon në Kosovë, respekti për të drejtat e njeriut”, ka përfunduar Demolli.

Pjesë e këtij marshi ishin edhe dhjetëra qytetarë  të cilët marshuan nga sheshi “Skënderbeu” drejt sheshit “Zahir Pajaziti”.

Kujtojmë se Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 10 Dhjetor të vitit 1948, është mbledhur në Paris,  ku ka miratuar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut./kp/