Për nder të 25 vjetorit të shëndetësisë së Prishtinës punëtorët shëndetësor të Qendrave të Mjekësisë Familjare dhe të Urgjencës, parakaluan në sheshet kryesore të Prishtinës.

Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë Izet Sadiku ka numëruar sukseset e sektorit të shëndetësisë, duke thënë se për këto 25 vite krenohen me arritjet e tyre.

“Vetëm vitin e kaluar kemi dhënë diku rreth 3 milion e 500 mijë shërbime, mbi 1 milion e 100 mijë vizita, rreth 1 milion shërbime laboratorike. Ne kemi rrit shumë shërbime në Prishtinë e kemi rrit shërbimin shtëpiak që punon sot 12 orë 365 ditë, kemi rrit shërbimet laboratorike, radiologjike, stomatologjike dhe gjitha këto kanë ndikuar sot që ne me u krenu me shëndetësinë e Prishtinës”, tha Sadiku.

Arjeta Pula, specialiste e mjekësisë familjare, ka treguar për aktivitetet që i kanë zhvilluar gjatë kësaj jave.

“Aktivitetet kanë filluar me vizitën e nxënësve të shkollave fillore të mesme të ulëta në Qendrat e Mjekësisë Familjare me çrast nxënësit janë njoftuar për shërbimet që ofrohen në qendrat tona. Janë njoftu me mjekët e infermierët që janë të përkushtuar për ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për fëmijët tanë”, shtoi ajo.

Ndër aktivitetet tjera ishte edhe dhurimi vullnetar i gjakut si dhe aktiviteti përmbyllës i kësaj jave ishte përurimi i emrit të ri të QKMF-së Gani Demolli i cili ishte shef i shërbimit shëndetësor të Nënës Terezë prej vitit 92 – 99.

Ndërkaq nga data 18 deri më 21 qershor ka pasur një sërë aktivitetesh të organizuara nga Drejtoria e Shëndetësisë për nderë të kësaj dite.