“Marshi për Drejtësi”, Valon Syla: Do të marshoj për Thaçin, Veselin dhe për pastërtinë e UÇK’së

Në ditët e fundit, një valë solidariteti ka filluar të shfaqet në rrjetet sociale në Kosovë dhe në rajon. “Marshojmë për Drejtësi” është slogani që po përhapet gjithnjë e më shumë. Marshi, i cili do të mbahet më 2 prill në Prishtinë, ka marrë mbështetjen e shumë partive politike, sindikatave, shoqatave të dala nga lufta dhe personaliteteve të ndryshme.

Lidhur me këtë nismë solidarizuese me ish-krerët e UÇK-së në Hagë, të cilët po akuzohen për krime lufte nga ana e Gjykatës Speciale, e organizuar nga “Liria ka emër”, analisti politik Valon Syla është shprehur se është e rëndësishme që marshi të jetë i masiv dhe civil, me qëllim që të shprehë solidaritetin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Syla ka theksuar se është shumë e rëndësishme që marshi të jetë masiv, për t’i dërguar një mesazh miqve dhe çlirimtarëve tanë se ata nuk janë të vetëm në këtë proces.