Marrin 17 milionë euro, nuk i pastrojnë rrugët

Ministria e Infrastrukturës ua ka ndarë 17 milionë euro kompanive për mirëmbajtjen e rrugëve, por reshjet e fundit të borës kanë shkaktuar kaos nëpër rrugët e Kosovës. Në gjithë vendin pjesa dërrmuese e rrugëve të enjten kanë qenë vështirë të kalueshme, ndërsa vendet malore kanë qenë të bllokuara tërësisht.

Reshjet e fundit të borës, si zakonisht kanë zënë në “gjumë” kompanitë e kontraktuara nga Ministria e Infrastrukturës (MI) për pastrimin e rrugëve nga bora.

Të enjten pjesa dërmuese e rrugëve nëpër gjithë vendin kanë qenë vështirë të kalueshme, e në vende malore të bllokuara tërësisht për shkak se 14 kompani e angazhuara për mirëmbajtje e rrugëve regjionale nuk po e kryejnë punën e tyre si duhet, ndonëse për tri vjet për këtë qëllim nga Ministria e Infrastrukturës do të marrin hiç më pak se 17,2 milionë euro, shkruan Gazeta “Zëri”.

Por, përkundër gjendjes së rëndë në rrugë zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës kanë thënë se të gjitha rrugët në vend janë të qarkullueshme.

Sipas tyre, qarkullimi me më vështirësi ka qenë në magjistralen Hani i Elezit – Prishtinë.