Prokuroria

Marrëveshja Telekom – Z-Mobile: Mustafa, Qerimi e Gjonbalaj nesër në gjyq

Ish-krerët e Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, nesër do të dalin para Gjykatës nën akuzat se dëmtuan Telekomin me arritjen e marrëveshjes më operatorin Z-Mobile.

Prokuroria Speciale po pretendon se të akuzuarit e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në lidhje me një marrëveshje në mes të Vala dhe Z-Mobile.

Në seancën e shqyrtimit fillestar e cila ishte mbajtur me datën 27 shtator, tre të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me veprat penale të cilat u vihen në barrë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Ejup Qerimi gjatë periudhës kohore shkurt 2012 tetor 2014, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar dhe nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër.

Me këto veprime i pandehuri Qerimi sipas aktakuzës dyshohet se ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1, të KPRK-së.

Ndërkaq, i pandehuri Agron Mustafa nga data 19.02.2015, kur ka marrë pozitën udhëheqëse e deri me datën 24.05.2017, kur ky i pandehur edhe pse nuk ka qenë kompetent kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final, i pandehuri Agron Mustafa duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që të t`i shkaktoj dëme materiale një kompanie tjetër.

Me këto veprime i pandehuri sipas aktakuzës dyshohet se ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1, të KPRK-së.

Po ashtu, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, theksohet se i pandehuri i tretë Rexhë Gjonbalaj duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare nuk e ka përmbushur detyrën e tij zyrtare me qëllim që t`i shkaktoj dëme materiale dikujt tjetër.

Me këto veprime i pandehuri Rexhë Gjonbalaj dyshohet se ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1, të KPRK-së.

KALLXO.com mëson se aktakuza ka të bëjë me veprimet që i paraprinë vendimit të Gjykatës dhe pastaj kontestit në arbitrazh, e të cilat u përmbyllën me marrëveshjen në mes të Valës dhe Z-mobile.

Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi, në kohë të ndryshme, kanë mbajtur pozitën e kryeshefit të Telekomit.

Ndërsa, Rexhë Gjonbalaj ka qenë kryetar i Bordit të Telekomit të Kosovës.

Më 24 maj të vitit 2017, Telekomi i Kosovës dhe Dardafon (Z-Mobile) arritën marrëveshje për përmbylljen e vendimit të arbitrazhit rreth kontratës për operator virtual të telefonisë mobile.

Vendimi u paraqit si një triumf për kompaninë pasi e lironte Telekomin nga obligimi i pagesës prej 30 milionë eurove për kompaninë Z-Mobile.

Në vitin 2016 Gjykata e arbitrazhit kishte vendosur në favor të kompanisë Z-Mobile në kontestin me Telekomin e Kosovës.

Vendimi krijonte obligime për të kompensuar një dëm prej 30 milionë euro.

Menjëherë pas vendimit, pushtetarët dhe njerëzit e drejtësisë kishin reaguar duke kërkuar hetime dhe përgjegjësi për këtë humbje.

‘Gjakrat ishin qetësuar’ disa muaj më vonë kur Telekomi dhe Z-Mobile u dakorduan që vendimi për pagesën e 30 milionë eurove të mos zbatohej.