“Marrëveshja politike për listat e veteranëve” përplas Qunin, Bujën e Isufin

Përfaqësuesit e partive politike, Anton Quni – LDK, Ramë Buja – PDK dhe Ahmet Isufi – AAK, janë përplasur rreth një marrëveshje të mundshme politike për listat e veteranëve.

Ahmet Isufi ka cituar kreun e PDK-së, Kadri Veseli, që në cilësinë e kryetarit të Kuvendit kishte thënë se ka një marrëveshje politike për listat, kur kishte folur për fryrjen e listave.

“Unë e përmenda se kush e ka thënë. Nëse i hyhet në analizë, aty kuptohet se ka pasur lojë politike. Në formularët me stemë të UÇK-së keni ushtarë të vitit 1990 e 1991, kur nuk ka pasur fare Ushtri Çlirimtare të Kosovës. Me vet faktin se del një formular i tillë dhe pranohet, del se ka pasur një marrëveshje politike”, ka thënë Isufi.

“Unë nuk e di, sepse nuk kam qenë pjesë e asnjë marrëveshje. Por kryetari Veseli ka qenë në krye të udhëheqjes së UÇK-së, e ka thënë se ka pasur marrëveshje politike, dhe duhet të pyetet ai se për çfarë marrëveshje ka pasur. Jo marrëveshje politike për ta bërë ligjin, por një marrëveshje politike për listat”, ka thënë ai.

Por Anton Quni ka thënë se nuk e di a ka pas marrëveshje politike.

“Por duhet të kemi një marrëveshje politike për të rishikuar tërësisht procesin. Historia do t’i mësojë fëmijët pas 60 viteve se në shërbim të luftës paskan qenë 60 mijë persona. Nuk është e drejtë, sepse i gënjejmë e i mashtrojmë”, ka thënë Quni.

Nga ana tjetër, Ramë Buja, as s’e ka mohuar e as pohuar ekzistimin e një marrëveshje politike për listat e veteranëve të UÇK-së.

“Unë e kam vështirë që të flasë përmendësh, sepse kur është bërë ligji edhe kjo deklaratë unë nuk kam qenë pjesë e strukturave të PDK-së. Kjo jo për t’u shfajësuar, por nuk e di. Mund të jetë supozim, por një marrëveshje mes liderëve politikë mund të ketë ekzistuar”, ka thënë Quni, i cili po ashtu ka thënë se është “krim dhe përbuzje ndaj atyre që kanë rënë për liri që të manipulohet me listat e veteranëve e të fryhen ato”.

Buja ka thënë se do të ishte mirë që të bëhej një marrëveshje për pastrimin e listave të veteranëve.

“Kjo listë është faj i politikës, dhe mbase politika është ajo që duhet të gjejë forcë që ta pastrojë këtë listë. Nuk është e drejtë që të akuzohen gjyqtarë e prokurorë për këtë punë. Nuk është e drejtë që në listë të jetë dikush i cili kurrë nuk ka qenë në luftë e askush nuk e di as nuk ia njeh asnjë kontribut për luftën, e të jetë më lartë se dikush që unë e njoh që ka qenë kontribuues në luftë”, ka thënë Buja.

loading…