Marrëveshja për targat me Serbinë, vendosja e ngjitësve konsiderohet sërish si mundësi

Vendosja e ngjitësve në targat e veturave të Kosovës dhe Serbisë konsiderohet sërish si mundësi e marrëveshjes tranzitore mes dy vendeve. Një ditë para përfundimit të marrëveshjes së përkohshme, elementi kryesor për suksesin e ujdisë së re vlerësohet të jetë reciprociteti në të dy anët.

Njohës të procesit të dialogut thonë për se pala kosovare në takimin e sotëm të grupeve punuese dhe nesër të kryenegociatorëve duhet të bëjnë çmos që të arrihet një marrëveshje e re për targat, por të insistojnë edhe në largimin e targave ilegale në territorin e Kosovës, pasi të vetmet që duhet të pranohen janë RKS.

Analisti politik, Gazmir Raci thotë se marrëveshja që nuk e ka brenda reciprocitetin nuk duhet të pranohet nga Kosova.

“Ajo marrëveshje që nuk e ka brenda reciprocitetin konsideroj se nuk do të duhej të pranohej nga pala e Kosovës. Stikersat kanë qenë zgjidhje e përkohshme deri në momentin kur Serbia e njeh Kosovën, pasi ne nuk e njohim njëra-tjetrën. Nëse arrihet të ketë reciprocitet konsideroj se marrëveshja do të jetë e suksesshme, nëse s’ka reciprocitet nuk parashoh qëndrueshmëri… Elementi kryesor i marrëveshjes së përkohshme është çështja e targave ilegale, ato duhet të hiqen nga qarkullimi dhe natyrisht ne kemi të vetmet targa RKS, duhet ose të pranohen si të tilla, por edhe si modalitet tranzitor mund të jetë vazhdimi i stikersave në dy anët reciproke”, thotë ai.

Më këmbëngulës për arritjen e një marrëveshjeje është njohësi i rrethanave politike, sociologu, Artan Muhaxhiri.

“Kosova duhet të bëjë çmos që të arrihet kjo marrëveshje sepse e para do të jetë e dobishme për qytetarët e Kosovës, do të krijojë lehtësira dhe do të ndihmojë Qeverinë e Kosovës që të dëshmohet si palë konstruktive në Bruksel. Aktualisht ekziston një imazh se Qeveria e Kosovës po e bllokon këtë marrëveshje, ndërsa nëse arrihet kjo marrëveshje do të ishte një hap tejet pozitiv në raport me Brukselin”, deklaron ai për KosovaPress.

Tema për targat, sipas Muhaxhirit tregon kompleksitetin e dialogut Kosovë-Serbi. Sipas tij, kjo temë teknike tregon sa e vështirë do të jetë edhe marrëveshja finale nëse s’ka vullnet dhe angazhim të palëve.

“Çështja e targave është një shembull tipik për gjithë kompleksitetin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Një temë realisht që duhej të ishte teknike është shndërruar në bllokadë të madhe që nevojiten kaq shumë muaj të diskutimeve dhe dialogimeve nga pala kosovare, serbe dhe ajo BE-së për të arritur një marrëveshje. Kjo nënkupton sa e vështirë do të jetë edhe marrëveshja finale nëse s’ka vullnet dhe angazhim të palëve”, shton ai.

Grupet punuese mes Kosovës dhe Serbisë do të takohen sot në Bruksel në raundin e ri të bisedimeve, ndërsa nesër do të mbahet takimi i zëvendëskryeministrit, njëherësh kryenegociatorit për dialogun, Besnik Bislimi me drejtorin e të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Marrëveshja e përkohshme e arritur në tetor të vitit 2021 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë skadon më 21 prill.