Marrëveshja për linjën ajrore – a do rikthehet Kosova e Serbia në tavolinën e bisedimeve?

Kanë kaluar më shumë se një vit prej kur është bllokuar procesi i dialogut Kosovë-Serbi. Kjo ndodhi për shkak të vendosjes së taksës nga ana e Kosovës, ndaj mallrave serbe.

Zyrtarët serbë vazhdimisht kanë deklaruar në tavolinën e bisedimeve do kthehen vetëm kur të hiqet taksa. Ndërsa, pala kosovare për shkak të luftës së ashpër të Serbisë për të mos e lejuar Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare si dhe lobimit ndaj shteteve të ndryshme për të tërhequr njohjen e Kosovës, nuk po tërhiqet nga vendimi për taksën.

Por, shpresë për të kthyer në tavolinën e bisedimeve, ka ngjallur nënshkrimi i marrëveshjes për linjën ajrore Prishtinë-Beograd. Kjo marrëveshje u nënshkrua në ambasadën amerikane në Berlin, me iniciativ të Shteteve të Bashkuara.

Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti thotë se mbrapa nënshkrimit të kësaj marrëveshje është një trysni indirekte për të vazhduar dialogun.

“Dialogu është proces që është i konstruktuar të zhvillohet në tema afatgjate me synim normalizimin e raporteve mes dy shteteve të cilat sot për sot kanë kontestime juridike ndërkomëbtare, për shkak se nuk njihen. Dialogu ka stagnuar tash e sa kohë, ndërkohë që të hënën kemi pas nënshkrimin e një marrëveshjeje e cila ka ardh si rezultat i një trysnie ndërkombëtare, ku produkti final nuk ka qenë rezultat i përpjkejve të të dyja palëve por në fakt dy palët kanë përfituar nga kjo trysni. A do të thotë përshpjetim – jo në mënyrë direkte por mendoj se është vendim shumë i fuqishëm i cili i bën palët me mendu se rrugë tjetër nuk ka përpos se me u kthy në tavolinën e bisedimeve”, ka thënë Hoti për lajmi.net.

Ai ka theksuar se Forumi i Davosit nuk do të ketë ndonjë përfitim të madh për Serbinë dhe Kosovën.

“Forumi i Davosit është ngjarje e përhershme ku liderët botëror shprehin botëkuptimet e tyre. Nuk do ketë ndonjë përfitim të madh për Serbinë dhe Kosovën për faktin se për neve është krejt i ditur qëndrimi i palëve që mbetët diamteralisht i kundër. Mund të përfitohet, nëse kemi trysni serioze ndërkomëbtare si në rastin e marrëveshjes për linjën ajrore Kosovë-Serbi”, është shprehur Hoti.

Ndërsa, njohësi i politikave të Jashtme, Avni Mazreku ka thënë se edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, problemet mes Kosovës dhe Serbisë do vazhdojnë të jenë të njëjta.

Sipas tij, dialogu nuk mund të rifillojë pa krijimin e qeverisë së re.

“Dialogu Kosovë-Serbi nuk mund të rifillojë pa krijimin e institucioneve,për shkak se parlamenti duhet të legjitimojë përfaqësuesit e Kosovës në këtë proces. Synimet e SHBA-së për të afruar marrëveshjen janë pozitive por nuk do të thotë se ka diçka përfundimtare. Dialogu do të vazhdojë vetëm atëherë kur insititucionet të krijohen”, ka përfunduar Mazreku.

Ndërkohë, pas nënshkrimit të marrëveshjes për linjën ajrore Prishtinë-Beograd, në Serbi kanë reaguar duke thënë se nuk do e lejojnë funksionimin e saj pa u tërheq vendimi për taksën nga ana e Kosovës.