Marrëveshja me Serbinë, Kurti takoi emisarët e Gjermanisë dhe Austrisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuar mbrëmë nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde në rezidencë, në një darkë pune se bashku me Emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe Përfaqësuesin Special të Austrisë për Ballkan Perëndimor, Johannes Eigner.

Gjatë darkës u diskutua për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal.

Temë diskutimi ishin po ashtu raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zbatimi i Marrëveshjes Bazë të arritur në Bruksel dhe Aneksit të saj të dakorduar në Ohër si dhe rruga përpara, në prag të takimit të radhës në nivel kryenegociatorësh që do të zhvillohet sot në Bruksel, njofton Zyra e Kryeministrit.

Kurti në këtë mbrëmje ishte i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ushtruesja e detyrës së Shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari Lila.