Marrëveshja LVV-LDK pritet të arrihet nesër?

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës duket të jenë shumë afër arritjes së një marrëveshjeje për formimin e një koalicioni për bashkëqeverisjen e vendit.

Përparimi në bisedimet disamuajshe mes partisë që i fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019, dhe asaj që doli e dyta ka ndodhur në takimin e pasdites së të mërkurës, ndërmjet kreut të VV’së, Albin Kurti, dhe udhëheqësit të LDK’së, Isa Mustafa.

Dy partitë janë deklaruar pas takimit të sotëm, që zgjati rreth tri orë, duke bërë të ditur publikisht se ka pasur “përafrim” mes tyre.

“Në kuadër të rifillimit të bisedimeve, në takimin e sotëm ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pati përafrim”, ka thënë Vetëvendosje, nëpërmjet një komunikate.

Para VV’së, është deklaruar edhe LDK’ja. “Kemi lëvizje në përpjekje për marrëveshje. Do të kemi edhe një takim të radhës nesër”, ka thënë zëdhënësi i LDK’së, Besian Mustafa.

Ballkani.info më herët raportoi se duke u thirrur në burime brenda dy partive se marrëveshja pritej të arrihej sonte.

Për këtë, aktivistë të VV-së filluan të postojnë në rrjetet sociale që marrëveshja është kryer. mëpritur.

Ballkani.info po ashtu merr vesh se LDK-ja ka pranuar marrëveshjen me VV-në si kundërvlerë që t’i ketë 6 ministri, kurse VV-ja 4. Kjo për shkak se Kurti nuk ka lëshuar pe në postin e kryeparlamentarit, pozitë kjo që tashmë e mban Glauk Konjufca.

Burimet tonë thonë se Kurti ka vendosur ta sakrifikojë Rozeta Hajdarin si ministre e vendosur prej tij që ta drejtoj Ekonominë dhe Tregtinë. Kjo ministri pritet t’i kalojë LDK-së.

Kurti dhe Mustafa tashmë ka dy orë që janë “mbyllur” në Kuvend.