Marrëveshja e Serbisë me Rusinë, goditje për Perëndimin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan shpjegim nga Serbia për atë që ministri i Jashtëm i këtij vendi ka nënshkruar me homologun e tij rus në Nju Jork, ka thënë ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.

Duke folur për gazetarët në Beograd, Hill ka thënë se, javën e kaluar, në Nju Jork janë mbajtur bisedime të shkëlqyeshme midis delegacioneve të SHBA-së dhe Serbisë, por se në fund të tyre është mësuar për nënshkrimin e një protokolli.

“Në këtë kohë, askush nuk duhet të nënshkruajë asgjë me Rusinë. Shumë pak edhe e bëjnë këtë. Vetëm ata rekrutë të mjerë që po mobilizohen për të shkuar në luftë [në Ukrainë]”, ka thënë ambasadori amerikan.

Dokumenti për bashkëpunim që kanë nënshkruar Serbia dhe Rusia, ka shkaktuar reagime të furishme brenda Serbisë, por edhe në nivel ndërkombëtar. Disa përfaqësues evropianë kanë thënë se duhet të mendojnë edhe për ngrirjen e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE.

Marrëveshja e nënshkruar nga udhëheqësit e diplomacisë së Serbisë dhe të Rusisë, në rrethana të rregullta gjeopolitike, është një dokument i zakonshëm në diplomaci, thotë për Radion Evropa e Lirë ish-diplomati serb, Sreqko Gjukiq.

Por, shton ai, pushtimi i Ukrainës nga Rusia hedh një dritë tjetër mbi këtë veprim, nga i cili, siç thotë, përfiton kryesisht Federata Ruse, e cila aktualisht është e izoluar nga marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Çdo letër, qoftë edhe e kësaj natyre, bie në sy, shkakton dyshime dhe paraqet një hap të rëndësishëm për Rusinë… se ky izolim është thyer dhe se ka vende që po e kontaktojnë atë dhe po nënshkruajnë marrëveshje me të”, thotë Gjukiq.

Sipas tij, edhe Serbia ka bërë një lëvizje të pamenduar.

“Me këtë lëvizje, Qeveria serbe u ka futur gishtin në sy si Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe Bashkimit Evropian, ku i ka interesat e saj më të mëdha – ekonomike, politike, investuese e të gjitha”, thotë Gjukiq.

Serbia, edhe pse vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, refuzon t’i vendosë sanksione Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, pavarësisht kërkesave të Perëndimit.

Serbia është e varur nga gazi rus dhe hulumtimet tregojnë se shumica e qytetarëve serbë e perceptojnë Rusinë si vend mik dhe kundërshtojnë masat kundër saj.

Zyrtarët në Serbi, megjithatë, kanë përsëritur në disa raste se respektojnë integritetin territorial të Ukrainës dhe Serbia ka votuar për disa rezoluta në Kombet e Bashkuara që e dënojnë pushtimin e saj.

Por, kjo nuk e ka penguar ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë që të nënshkruajë marrëveshje me Rusinë dhe të konfirmojë vazhdimin e bashkëpunimit me atë vend.

Nënshkrimi i marrëveshjes

Më 23 shtator, ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, dhe ai i Serbisë, Nikolla Sellakoviq, kanë nënshkruar Planin e Konsultimeve të Ministrive të Punëve të Jashtme të të dyja vendeve për dy vjetët e ardhshëm.

Sellakoviq është ministër me mandat teknik, pasi në Serbi pritet të formohet Qeveria e re, pas zgjedhjeve që janë mbajtur në prill të këtij viti.

Sellakoviq është zyrtar i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të presidentit Aleksandar Vuçiq, e cila ka fituar më së shumti vota në këto zgjedhje.

Kryeministrja e deritashme e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka fituar mandatin për të formuar edhe Qeverinë e re, por nuk dihet nëse Sellakoviq do të mbajë ose jo ndonjë post në Qeverinë e re.

Plani i Konsultimeve i Ministrive të Jashtme për periudhën 2023-2024 është nënshkruar në Nju Jork, në margjina të sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka postuar në Twitter një video të nënshkrimit dhe shkëmbimit të dokumentit të nënshkruar.