“Marrëveshja e re e KOSTT me ENTSO-E, e barabartë me Interpol apo UNESCO. S’ka më ‘Elektro Privreda Srbije'”

Të barabartë me anëtarësimin në Interpol apo UNESCO e ka quajtur drejtori i EPIK, Demush Shasha, miratimin e marrëveshjes së re të KOSTT dhe ENTSO-E, të hënën.

Marrëveshja e re është bërë e ditur nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari. Përmes një shkrimi në Facebook, ajo ka thënë se me të, Kosova e fiton pavarësinë energjetikë.

“Kjo është e madhe. Kjo është e barabarte me INTERPOL apo UNESCO. U kry me Elektro Privreda Srbije”, shkruan Shasha.

Ai po ashtu ka numëruar gjërat që arriten me këtë marrëveshje. Ai shkruan se marrëveshja siguron “shkëputjen e rrjetit energjetik nga Serbia dhe pavarësinë e Kosovës në operimin e rrjetit energjetik në tërë territorin e Kosovës; ndërprerjen e përfitimit të jashtëligjshëm të Serbisë i kapaciteteve interkonektive të KOSTT-it (17 milion EURO ne vit); vendosjen e kufijve energjetike te Kosovës; operimin e investimit prej 33.5 milion EURO te linjës 400kV Kosovë-Shqipëri; krijimin e hapësirës rajonale dhe Evropiane energjetike, përmes zbatimit të obligimeve në kuadër të procesit të Berlinit”.

Shasha po ashtu e ka falënderuar Gjermaninë, “ata që siguruan festën e sotme”.