Marko Gjuriq ka një porosi: Mbani duart larg nga Universiteti ynë

“Mbani larg duart nga Universiteti ynë, sepse ai nuk grabitet por në të fitohet dije”, është porosia e Marko Gjuriqit për, siç thotë ai, “institucionet e përkohshme të Prishtinës”, pas tekstit të publikuar në portalin në gjuhën serbe, Kossev, mbi draft-ligjin e Kosovës për arsim të lartë, me të cilin parashikohet që Universiteti në Mitrovicë të bëhet institucion kosovar i arsimit të lartë.
Marko Gjurq: Larg duart nga Universiteti ynë

“Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë ka qenë dhe do të mbetet në sistemin arsimor të Serbisë”, pretendohet në kumtesën e drejtorit të zyrës për Kosovë në qeverinë serbe.

Në kumtesë shtohet se “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë është pjesë e asociacionit evropian të universiteteve dhe se me rreth 8.000 studentë aktiv paraqet shtyllën e mbijetesës serbe në Kosovë”, si dhe që “është themeluar si degë e Universitetit të Beogradit”, dhe paraqet institucionin e vetëm të arsimit të lart në gjuhën serbe në territor të Kosovës.

Marko Gjuriq konsideron se “sulmi në statusin e tanishëm të universitetit është në të vërtetë sulm në të drejtat elementare të popullit serb”, dhe se “ky është akt agresiv i cili ka për qëllim vështirësimin e mbijetesës së popullit serb në Kosovë”.

Ai përfundon se serbët në Kosovë “kurrë nuk do ta dorëzojnë universitetin e tyre”, dhe se “kurrë nuk do të heqin dorë nga shkollimi në gjuhën e tyre në kuadër të sistemit të arsimit të Serbisë”