Marko Gjuriç e quan Dua Lipën “bashkatdhetare”: Jam krenar me të

Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriç, po e vazhdon jehonën e tij në mediat sociale, ndërkohë që pas “akuzave” ndaj politikanes, Vlora Çitaku për “nxitje urrejtjeje”, ai ka folur edhe për këngëtaren shqiptare me famë botërore, Dua Lipën – të cilën e ka quajtur “bashkadhetare”.

Përmes një postimi në llogarinë e tij të Twitter, Gjuriç ka thënë se ndihet krenar me yllin e hitit “IDGAF”, ndërsa krahas emrit, Dua Lipa, ka bashkangjitur edhe flamurin serb.

“Duke lënë mënjanë komentet e vogla me urrejtje, jam shumë krenar për bashkatdhetaren tonë bukuroshe Dua Lipa, edhe pse ajo mund të mendojë ndryshe për një çështje politike”, ka shkruar ai.

Postimi vjen si rrjedhojë e kritikave të ish-ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, karshi pjesëmarrjes së tenistit serb, Novak Gjokoviç në garën “Australian Open” – ani pse ky i fundit nuk është vaksinuar fare kundër COVID-19, çka bie ndesh me rregullat e këtij kompeticioni.
Çitaku, duke përshkruar situatën e Gjokoviç-it në Twitter përdori një frazë nga Ferma e Kafshëve e George Orwell.

“Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat”, ishte referenca e Çitakut bashkangjitur me lajmin për Gjokoviçin.

Pos, Gjuriçit ka reaguar edhe pasardhësi i tij në zyrën e ashtuquajtur për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

Marko Gjuriç dhe Petar Petkoviç.

Brenda fjalorit të tij të zakonshëm, Petkoviç ka thënë se reagimi i Çitakut vjen pasi ajo “nuk mund të pranonte që një serb të ishte më i miri” dhe se për këtë arsye “ka fyer në mënyrë primitive”.

Por, këtyre fyerjeve, sipas Petkoviç përgjigje do t’iu jap Gjokoviçi duke mbrojtur titullin në Australian Open dhe duke u shpallur kamion përsëri.

Çitaku ka reaguar, por vetëm në adresë të Gjuriçit, duke i thënë atij se vargu ishte referencë dhe sikur ta lexonte librin do ta dinte për çfarë po flitej dhe nuk do turpërohej publikisht.

Por, Çitaku nuk është e vetmja që ka problematizuar trajtimin favorizues për Gjokoviçin.

Është edhe gazetari i famshëm britanik, Piers Morgan, i cili vendimin për Gjokoviçin e ka quajtur “një shqelm dhëmbëve të të gjithë australianëve që kanë respektuar rregullat” dhe gjithashtu “shpërblim i një personi që është kundër vaksinës”.

Edhe tenisti britanik, Jamie Murray, ka komentuar vendimin, duke thënë se po të ishte ai në vend të Gjokoviçit, si tenist më i panjohur, nuk do të pranonte këtë lloj trajtimi që po merr serbi. /Albanianpost.com