Luftanija

Marina ruse kërcënon me përplasje luftanijen e SHBA “John McCain”, pranë kufirit detar në Vladivostok

Një incident diplomatik u shënua mëngjesin e sotëm kur një luftanije amerikane , sipas Rusisë, nisi një inkursion në ujërat e saj territoriale në Lindjen e Largët.

Luftanija John S McCain, e specializuar në gjuetinë e nëndetëseve, po vepronte në Detin e Japonisë (i njohur gjithashtu si Deti i Lindjes), pranë kryeqytetit rus të Lindjes së Largët, Vladivostok.

Autoritetet thanë se mjeti detar kishte hyrë rreth 2 kilometra brenda ujërave të njohura ndërkombëtarisht si të Rusisë.

Moska tha se luftanija ishte paralajmëruar për shkelje të territorit nga luftanija ruse Admiral Vinogradov, e cila ishte vendosur prapa saj.

Në komunikatë detarët paralajmëronin se do të detyroheshin të “përplasnin me forcë shkelësin për ta nxjerrë nga territori.”

Marina e SHBA nuk ka komentuar mbi incidentin.

Kjo nuk është hera e parë që luftanija John McCain është përfshirë në incidente detare.

Në 2017, dhjetë detarë amerikanë vdiqën kur ajo u përplas me një çisternë me flamur të Liberisë, çka shkaktoi rrjedhje dhe e nxorri mjetin nga shërbimi deri në tetor 2019.

Hetimet mbi incidentin paralajmëronin për një sistem mjaft të komplikuar kontrolli me ekran me prekje për të komanduar forcën e shtytjes së motorëve, si dhe mungesë trajnimi të ekuipazhit.