Tensione

Maqedoni, VMRO-DPMNE akuzon për shantazh e kërcënim; LSDM: Do e padisim

Situata është ndezur së tepërmi me deklarata dhe kundërdeklarata mes shumicës qeverisëse dhe opozitës, ndërsa gjatë ditës politikanët kanë qenë të ngarkuar me punimet e Kuvendit për të miratuar ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë ndryshimit të emrit nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, sekretari i VMRO-DPMNE-së në opozitë, Igor Janushev tha se disa nga deputetët e opozitës ishin vënë nën presion që të mbështesnin nismën për hapjen e procedurës për ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë.

Sipas tij, ndaj deputetëve të VMRO-DPMNE-së janë ofruar shumë të majme parash, nga 250 mijë euro deri në 2 milionë euro, për të votuar pro në Kuvend, ndaj dhe ka kërkuar ndërhyrjen e Prokurorisë për të hetuar.

Ndërkohë, nga LSDM-ja pati një kundërreagim, duke përgënjeshtruar pretendimet e VMRO-DPMNE-së dhe duke paralajmëruar padi ndaj partisë më të madhe të opozitës, që ishte ankuar më herët për shantazhim dhe kërcënim ndaj deputetëve të saj dhe familjarëve të tyre.

“Do të parashtrojmë padi për gënjeshtrat e shpikura të VMRO-DPMNE-së. Shpikjet e tyre do të duhet t’i sqarojnë në gjykatë. Të nderuar media, ju jeni gjatë të gjithë ditës në Kuvend. Deputetët lëvizin dhe komunikojnë lirisht në Kuvend. VMRO-ja nuk zgjedh mjetet për të bllokuar ardhmërinë europiane të Maqedonisë. Ju apelojmë se Mickoski dhe Gruevski nuk do t’ia arrijnë qëllimit. Ata janë për krim, konflikt dhe robëri. Ne jemi për ardhmëri, prosperitet dhe ekonomi. Ju bëj thirrje deputetëve të VMRO-DPMNE-së që të vendosin në bazë të vullnetit të tyre. Asnjë lajm i kryesisë së VMRO-DPMNE-së nuk do ta bllokojë rrugën drejt BE-së dhe NATO-s, pavarësisht se kjo nuk i pëlqen Mickoskit dhe kryesisë së VMRO-DPMNE-së”, deklaroi Kostadin Kostandinov, deputet i LSDM-së.

Një debat kishte të bënte edhe me orarin e rifillimit të seancës, me LSDM-në që kishte njoftuar nisjen në orën 21, ndërsa për VMRO-DPMNE-në quhej e mbyllur bazuar në Rregulloren e Kuvendit të Maqedonisë.