Kufiri

Maqedonci: NATO t’i trajtojë me seriozitet lëvizjet e Serbisë përreth kufirit

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se NATO po ashtu duhet t’i trajtojë me seriozitet lëvizjet e trupave ushtarake serbe përreth kufirit me Kosovën. 

Në takim me shefen e operacioneve aktuale, Divizioni për Operacione i Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe, Maqedonci ka theksuar se vendosja e trupave serbe është kërcënim për stabilitetin. 

“Gjatë takimit gjithashtu biseduam për gjendjen e sigurisë në Kosovë, dhe theksova faktin që vendosja e trupave ushtarake serbe përreth kufirit me Kosovën përbën kërcënimin të vazhdueshëm për stabilitetin e Ballkanit, e që duhet trajtuar me seriozitet lëvizjet e tilla të Serbisë edhe nga ana e NATO-s”, ka thënë Maqedonci.

Tri javë më parë, kryeministri Albin Kurti publikoi një video dhe tha se njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovës, në afërsi të fshatit Banje të Zubin-Potokut. Lëvizje të tilla tha se ishin parë edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afër të kufirit. 

“Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën. Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”, pati shkruar Kurti.