Bashkëpunimi në mes të Qeverisë së Kosovës dhe komunave duket se është në piken zero. Pa koordinim paraprak, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka hartuar një draft-udhëzim administrativ, i cili kërkon nga komunat ofrimin e hapësirave për institucionet qendrore. Udhëzimi në fjalë po vlerësohet si shkelje e autonomisë lokale dhe po kundërshtohet nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal(MAPL) shumë shpejt do të kërkojë nga komunat që në objektet e tyre të sigurojnë hapësira të nevojshme për zyrtarët e institucioneve qendrore që ofrojnë shërbime për qytetarë në komuna.

Një kërkesë e tillë do të zyrtarizohet përmes një udhëzimi administrativ, të cilin tashmë e ka hartuar kjo ministri.

Ky udhëzim, që është bërë pa koordinim me komunat, po kundërshtohet nga Asociacioni Komunave të Kosovës.

AKK-ja ka vlerësuar se udhëzimi në fjalë nuk ka bazë ligjore dhe si i tillë nuk mund të zbatohet.

Draft-udhëzimin administrativ për ofrimin e hapësirave brenda objekteve të komunës për institucionet qendrore që ofrojnë shërbime në komuna, të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale, ka 10 nene dhe përcakton obligimet e komunave.

“Me këtë Udhëzim Administrativ përcaktohen obligimet e Institucioneve qendrore dhe lokale për ofrimin e shërbimeve për qytetarë në objektet e komunave”, thuhet në nenin 2 të udhëzimit.

Në nenin 4 tregohen institucionet qendrore që ofrojnë shërbime në objektet e komunës.

Kurse, në nenin 5 të këtij udhëzimi shpjegohet procedura e kërkesës nga se institucioneve qendrore ndaj komunave.

“1. Institucionet qendrore kryejnë funksione administrative, shërbime të ndryshme publike dhe zbatim të politikave në komuna me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më afër qytetarëve. 2. Institucionet qendrore në rastet kur nuk kanë hapësira publike te tyre për ushtrimin e veprimtarisë i drejtohen me kërkesë kryetarit të komunës që t’i siguroj hapësira në objektet e komunës apo objektet tjera të komunës të përshtatshme për ushtrim të aktiviteteve administrative”, thuhet në nenin 5 të udhëzimit, duke treguar se brenda çfarë periudhe kohore kryetari i komunës duhet ët siguroi hapësirën.

“3. Pas pranimit të kërkesës, në afat prej tredhjet (30) ditëve, kryetari i komunës është i obliguar të sigurojnë objekte, hapësira publike për Institucionet qendrore për ofrimin e shërbimeve në komuna. Gjitha shpenzimet shtesë për mirëmbajte të objektit të komunës i mbulon Institucioni qendror, i cila ka kërkuar hapësirat publike, për ofrim të shërbimeve”, thuhet në nenin 5 të udhëzimit.

Në nenin 6 të udhëzimit janë përcaktuar procedurat dhe kriteret për përcaktimin dhe ofrimin e hapësirave, ndërsa në nenet 7 dhe 8 përcaktohen detyrat dhe përgjegjësitë e komunave dhe institucioneve qendrore.

Në fund, në nenin 10, të draft-udhëzim administrativ, thuhet se i njëjti hyn në fuqi shtatë ditë pas nënshkrimit nga Ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Komunat kundër

Asociacioni i Komunave të Kosovës është shprehur i shqetësuar me këtë draft-udhëzim.

Drejtori ekzekutiv i AKK, Sazan Ibrahimi, ka treguar arsyet e këtij kundërshtimit të këtij dokumenti.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka thënë se me asnjë udhëzim administrativ nuk mund të obligohen kryetarët e komunave.

“AKK është kundër Udhëzimit Administrativ (U.A) për ofrimin e hapësirave brenda objekteve të komunës për institucionet qendrore që ofrojnë shërbime në komuna. Arsyet kryesore janë: Mungon baza ligjore për këtë udhëzim administrativ dhe rregullorja ku thirret MAPL për nxjerrjen e këtij akti është e shfuqizuar. Në asnjë rast kryetari i komunës nuk mund të obligohet me një Udhëzim Administrativ pa bazë ligjore që të siguroj në afat prej tredhjet (30) ditëve, hapësira publike për Institucionet qendrore për ofrimin e shërbimeve në komuna”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka treguar se shumica e komunave e kanë të pamundur të krijojnë hapësira të tilla.

“Shumica e komunave nuk kanë hapësirë për vete e lëre më të sigurojnë hapësira edhe për institucionet qendrore. Rekomandohet që zyrtarët e MAPL të dalin pak në vizita nëpër komuna që ta shohin realitetin e jo të merren vendimet nga katet e larta të ndërtesës së ish-Rilindjes. Nëse institucionet qendrore janë të interesuara të ofrojnë shërbime në nivel komunal, atëherë ato duhet ta marrin edhe përgjegjësinë për të siguruar hapësira për ofrimin e këtyre shërbimeve e jo që këtë barrë t’ia lejnë kryetarëve të komunave”, ka thënë ai.

Sipas tij, MAPL-ja duhet t`i marrë parasysh kërkesat e komunave.

“Në bazë të praktikave të mëhershme, kur qytetarët aplikonin për dokumente të udhëtimit nëpër komuna e ku kjo përgjegjësi është e MPBAP, shkaktoheshin tollovi nëpër ndërtesat komunale dhe ku me këtë rast qytetarët fajësonin komunat për këto tollovi. Patjetër që duhet të merret në konsideratë mendimi dhe kërkesa e kryetarëve të komunave rreth këtij udhëzimi. Paramendoni nëse të gjitha këto institucione qendrore do kërkonin nga komunat që t’iu jepen hapësira të komunave në shfrytëzim, atëherë ka mundësi që komunat të dalin me qira në objekte tjera në mënyrë që të zbatohet ky U.A.”, është shprehur ai.

Nder të tjera, ai ka vlerësuar se këto çështje duhet të zgjidhjen me bashkëpunim në mes të Qeverisë dhe komune e jo te jepen urdhra.

“Nuk bën që të hartohen këso U.A pa asnjë analizë paraprake të situatës nëpër komuna. Do të ishte mirë që të zbatohen praktikat e mira rreth bashkëpunimit të komunave me institucionet qendrore në lejimin e shfrytëzimit të hapësirave të komunave përmes marrëveshjeve të ndërsjella e jo me urdhra nga lart, ashtu siç e parasheh neni 4, pika 3 e këtij udhëzimi. Shpresojmë që zëri i kryetarëve të merret parasysh në të kundërtën do shkaktohet një kaos nëpër komuna”, ka thënë Ibrahimi.

Edhe Komuna e Prizrenit ka bërë me dije se ka probleme me hapësirat publike.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, shef i Njësisë për Komunikim me Publikun, Ymer Berisha, ka thënë se në mungesë të hapësirave kjo komunë i ka vendosur drejtoritë në objekte të ndryshme.

“Ne jo rrallë kemi hapësira të pamjaftueshme për punëtorët që i kemi ne, sepse Komuna e Prizrenit në mbi 6 objekte i ka të vendosur administratën. Arsimi është ndaras, shëndetësia ndaras, sociali ndaras, turizmi ndaras, objekti i administratës ndaras. Po ashtu, edhe vendndodhja e kryetarit te komunës është ndaras”, ka thënë ai.

Ai ka vlerësuar se një udhëzim i tillë do ta ngarkonte edhe më shumë këtë komunë.

“Për momentin ne nuk kemi asnjë informacion për një udhëzim të tillë. Por nëse formolizohet, ne duhet me e pa se cilat janë kërkesat specifike për Komunën e Prizrenit dhe konform specifikave pastaj ne me ndërtu përgjigje. Në këtë moment që po flasim, ne jemi në rinovim të ndërtesës së administratës së komunës dhe shumë zyrtarë i kemi shpërndarë dhe kemi bërë mbingarkesa të hapësirave fizike me kuadrin që e kemi tani brenda, e lere më të na thuhet se duhet edhe një hapësirë tjetër”, ka thënë Berisha.

Kjo nuk është hera e parë që Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe vetë komunat kanë shprehur kundërshti në raport me Qeverinë e Kosovës.

Në këtë mandat, komunat vazhdimisht kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mungesë të bashkëpunimit.