Mantovanelli: Shkaku i pandemisë, Kosova do ta përjetojë recesionin e parë që nga pavarësia

Drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, ka thënë në RAPORT të KTV-së se kriza pandemike ishte e paprecedent dhe se askush nuk ishte i përgatitur për të. Ka vazhduar se shkaku i saj, gjithçka do të ndryshojë.

“Ne, si Bankë Botërore, prisnim që rritja ekonomike në Kosovë në vitin 2020 të vazhdonte me rreth 4 për qind. Tashmë i kemi rishikuar vlerësimet tona, dhe presim që Kosova të përjetojë recesionin e parë që nga pavarësia. Dhe ne tani vlerësojmë rënie ekonomike – tkurrje të ekonomisë prej rreth 4.5 pikë përqindjeje”, ka thënë ai.

“Askush nuk ishte i përgatitur në Ballkanin Perëndimor apo jashtë. Marrë parasysh këtë, vendet që kishin situatë më të mirë fiskale dhe hapësirë fiskale arritën të reagojnë më shumë, në kohën e duhur”, ka thënë ai, duke shtuar në vazhdim se Kosova hyri në këtë krizë me kushte relativisht të mira.

“Ekonomia po rritej me mbi 4 për qind në 2019-n; kishte depozita të mira të Qeverisë dhe rezerva; kishte borxhin më të ulët në Ballkanin Perëndimor; dhe kur je vend pa politikë monetare, mjetet fiskale dhe borxhi janë e vetmja alternativë tjetër; dhe sektori financiar ishte likuid dhe me përqindjen më të vogël të kredive joperformuese, me 2 për qind; pra kushtet ishin mjaft të mira krahasuar me vende të tjera, por pyetja që shtrohet është se sa e madhe do të jetë kriza”, ka paralajmëruar ai.

Sa i përket pakos së Qeverisë, ai ka thënë se duhet pritur për të parë nëse ndihma po shkon aty ku duhet.

“Kjo, pasi nuk e dimë ndikimin e plotë të krizës. Siç e thashë, është e paprecedent, sepse ndikon si tek oferta nga kompanitë, ashtu edhe kërkesa për konsum”, ka thënë ai.

Mantovanelli është pyetur rreth rreth efektit të pandemisë në shkallën e papunësisë në Kosovë.

“Kjo është sërish diçka që kërkon më shumë të dhëna për vlerësim. Thënë kjo, e dimë me siguri se kjo krizë do të ndikojë tek amvisëritë, do të ndikojë në të hyrat e amvisërive përmes disa kanaleve. I pari është ulja në paga, sepse njerëzit mbeten pa punë. Tjetri është humbja e të hyrave, sepse Kosova ka një përqindje të madhe të qytetarëve që të hyrat i sigurojnë përmes sektorit joformal. I treti është roli i diasporës. Familjet dhe amvisëritë kosovare varen nga transferimet nga diaspora, nga turizmi i diasporës që sjell përfitime për ekonominë. Dhe këto janë vënë në pyetje”, ka thënë Mantovanelli.