Adil Behramaj, ish këshilltar i ish presidentit Hashim Thaçi, përmes një postimi në facebook i ka rikujtuar “manovrat” politike të Mimoza Kusarit-Lilës, e cila dje zyrtarisht është kandiduar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetare të Gjakovës.
“Para katër vjetësh, Mimoza Kusari – Lila ka dhënë dorëheqje prej Kryetares së Gjakovës, pak muaj para se ta përfundonte mandatin si kryetare, për të mos e humbur mandatin e deputetes, pa u lodhur fare për gjakovarët. Tash po e lë ulësen e deputetes që t’i kthehet Komunës së Gjakovës dhe atyre që i kishte braktisur më herët për interesin e vet personal. Gjakova dhe gjakovarët, faktikisht, ishin braktisur qysh në fillim të mandatit të saj, sepse ajo çdo ditë shihej duke vrapuar nëpër Gërmi, pa e çarë kokën për përgjegjësitë e kryetares. Mimoza Kusari – Lila meriton përgëzime masive për fleksibilitetin e saj të pashoq!”, ka shkruar Behramaj. /Ballkani.info/







