Manipulon Dukagjin Gorani, thotë se PSD-ja ia ka kthyer vendimmarrjen Kuvendit (Video)

Jo Shpend Ahmeti si bashkëkryesues, por Dukagjin Gorani në emër të Partisë Socialdemokrate është “përzgjedhur” të flas për dialogun Kosovë-Serbi.

Përmes një video të publikuar në llogarinë e këtij subjekti politik në rrjetet sociale, duke pozuar dhe duke u munduar të “shfaqet” si i mençur, Dukagjin Gorani ka thënë se me dokumentet e përgatitura nga PSD-ja, vendimmarrja po i kthehet Kuvendit.

Por, faktikisht, vendimmarrja në çfarëdo versioni është vetëm e Kuvendit dhe e asnjë institucioni tjetër.

Çfarëdo marrëveshje që arrihet përmes dialogut në Bruksel duhet të votohet në Kuvendin e Kosovës, prandaj retorika e Goranit është tërësisht manipulative, transmeton Ballkani.info.

Ligji për Referendum, i cili e ka kaluar leximin e parë në Kuvendin e Kosovës, e rregullon shpalljen dhe zbatimin e referendumeve, si dhe përcakton procedurat për tri lloje të referendumeve: shfuqizuese, kushtetuese dhe konsultative.
Me këtë ligj, presidenti mund të inicioj vetëm referendum konsultativ, rezultatet e të cilit nuk janë detyruese për Kuvendin e Kosovës, prandaj në çfarëdo versioni vendimmarrja është vetëm e Kuvendit të Kosovës.
Po ashtu, edhe Ligji Nr. 04/L-052 për Marrëveshjet Ndërkombëtare, në nenin 10 thotë qartë se ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare bëhet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve për çështje të territorit, paqes, aleancave, çështjeve politike dhe ushtarake.