Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama nga radhët e LDK-së,  është në përfundim të mandatit të tij katërvjeçar dhe tashmë ka shpallur kandidaturën për një mandat të dytë.

Në një intervistë për Telegrafin, Rama është shprehur i bindur në fitoren e tij, duke theksuar se më 12 tetor do ta sigurojë mandatin pa balotazh.

Ai theksoi se gjatë udhëheqjes së tij, Prishtina është kthyer në një qytet me energji pozitive dhe atmosferë shprese, duke shtuar se para se të merrte drejtimin e kryeqytetit, prishtinasit kishin humbur besimin dhe optimizmin për të ardhmen.

Prishtina para katër vitesh, e dini edhe vetë, ka qenë në probleme të shumta, sfida të shumta, të cilat kanë qenë në dimensione të ndryshme po nëse mundem ashtu me e ndërlidhë problemin kyç, problemi më i madh ka qenë që Prishtina ose prishtinasit e patën humb besimin, atëherë nuk kanë pasur besim që Prishtina mundet me u bo ma mirë. Pra, diçka madhore që ka ndodhë prej atëherë deri sot është që prishtinasit sot besojnë në të ardhmen e kryeqytetit”, u shpreh ai.

Rama tha se për katër vite kanë realizuar disa projekte, duke shtuar se kanë edhe projekte që janë duke vazhduar, e po ashtu edhe që presin të fillojnë.

“Në aspektin e infrastrukturës tash e dimë, për shembull, që kryeqytetit i duhet unaza e kryeqytetit, projekt të cilin ne e kemi përfundu qysh para tri vitesh, mirëpo është i bllokum prej nivelit qendror”, deklaroi ai.